Të mërkurën Qeveria e Kosovës e ka miratuar formimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi.
Këtë komision do ta udhëheq kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Formimi i këtij komisioni vie pas situatës së rëndë në shëndetësi, ku sipas kryeministrit, vetëm ministri i këtij dikasteri nuk mund ta menaxhoj situatën.
Por ky Komision i sapo formuar për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, nuk ka aspak kuptim.
Sipas ish-ministrit të Shëndetësisë, ky institucion nuk ka pas nevojë për këtë komision të përkohshëm.
Agani ka thënë për Front Online se zbatimi i ligjeve që janë në fuqi në këtë sektorë dhe vazhdimi i reformës, janë urgjente.
“Konsideroj se nuk ka pasur asnjë nevojë për këso trupi të përkohshëm me kompetenca diskutabile ligjore. Ajo që nevojitet është zbatimi urgjent dhe strikt i ligjeve në fuqi në sektorin e shëndetësisë dhe vazhdimi i reformës së filluar në shëndetësi në vitin 2014, për të cilën patëm mbështetjen e plotë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Formimi i këtij Komisioni do të kishte kuptim vetëm në kontekstin e mbështetjes së këtyre proceseve të ndërprera reformuese shumë vite më parë dhe asnjë kuptim tjetër”, u shpreh Agani për Front Online.
Ndryshe, ministri Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh i lumtur për vendimin e formimit të Komisionit. Ai tha secili prej anëtarëve të Komisionit ka shumë punë përpara, dhe u shprehë i bindur se së bashku do t’ia dalin mbanë.












