
Në varrezat e qytetit të Vushtrrisë në fshatin Begaj sot iu dha lamtumira e fundit mësuesit, profesorit, drejtorit te disa shkollave dhe gazetarit Qazim Lahu i cili ndërroi jetë mbrëmjen e së dielës në moshën 89 vjeçare, njofton gazetari Avni Deliu.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë familjarë të tij, kolegë të arsimit, nga Shoqata e Veteranëve të Arsimit – Vushtrri dhe gazetarë nga Klubi i gazetarëve “Blerim Zhabari” në Vushtrri, zyrtarë komunal e qytetarë të shumtë.
Vajza e tij arsimtarja Shpresa Lahu lexoi një letër që ia kishte dedikuar babait të saj për veprimtarinë e tij.
Familjen Lahu e ka ngushëlluar edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Kryetari Idrizi ka shkruar se, “me dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të veteranit të arsimit, Profesor Qazim Lahu. E nderuara familje Lahu, duke bashkëndjerë dhembjen me juve, iu shpreh edhe ngushëllimet e mia të thella për ndarje nga jeta të Profesorit Qazim Lahu. Profesori la gjurmë në edukimin dhe arsimimin e brezave dhe gjeneratave”.












