Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Ja si funksiononte grupi i zyrtarëve të Ministrisë së Sveçlës me turkun e “Wolt-it” (Dosja e plotë)

24/07/2026 - 21:36
në Lajme
A A
Ja si funksiononte grupi i zyrtarëve të Ministrisë së Sveçlës me turkun e “Wolt-it” (Dosja e plotë)
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Në qendër të hetimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë zyrtaret e MPB-së që drejtohet nga Ministri Xhelal Sveçla dhe një shtetas turk, të cilët dyshohen për një skemë të mirëorganizuar të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Zyrtaret e ministrisë dyshohet se nxirrnin lejeqëndrime ilegale për shtetas të huaj në këmbim të përfitimeve materiale. Veprimet e tyre u zbuluan pas aplikimit të masave të veçanta hetimore nga organet e rendit. Insajderi sjell dosjen e plotë.

Gazeta Insajderi

​Një skemë e organizuar e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, falsifikimit të dokumenteve shtetërore dhe shitjes së lejeqëndrimeve për shtetas turq është zbuluar pas një operacioni hetimor të zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës.

​Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e plotë të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, të përpiluar nga prokurori i Shtetit, Besnik Jakupi, si dhe procesverbalet e seancës dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Dokumentet zbardhin në detaje rolet e secilit prej të pandehurve, mënyrën e nxjerrjes së dokumenteve nga zyrat e shtetit, përgjimet telefonike dhe përplasjen ligjore në gjykatë.

​Detyrat e ndara: Vjedhja e lejeqëndrimeve me çantë e xhepa dhe përfshirja e familjarëve

​Sipas dosjes së Prokurorisë, në qendër të këtij rrjeti janë Gylsen Jahiri, zyrtare për të huaj në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion (DSHAM) të MPB-së, dhe Fatma Shtufa, zyrtare e gjendjes civile në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).

​Hetimet e organeve të rendit kanë vërtetuar se e pandehura Gylsen Jahiri nxirrte në mënyrë të kundërligjshme lejeqëndrimet direkt nga zyrat e Ministrisë, veprime këto që janë incizuar përmes masave të veçanta hetimore me kamera të fshehta brenda objektit të DSHAM-it.

Në dosje përshkruhet në detaje mënyra e operimit.

​”Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurat, në vazhdimësi, duke vepruar me dashje, në bashkëkryerje, pas marrëveshjes paraprake, në cilësinë e personave zyrtarë… i tejkalojnë autorizimet e tyre, në atë mënyrë që, e pandehura Gylsen, duke gjetur personat konkretë dhe më pas nga zarfet në të cilat gjenden lejeqëndrimet e përfunduara, ato zarfe i ka hapur, i ka marrë lejeqëndrimet, të njëjtat lejeqëndrime në disa raste i ka futur në çantën e saj, në disa raste i ka futur në xhepat e pantallonave të saj dhe më pas ka dalë nga zyra dhe puna…”

​Për më tepër, Prokuroria thekson se e pandehura Jahiri ka përfshirë edhe anëtarët e familjes së saj për dorëzimin e dokumenteve dhe marrjen e parave.

​”…pastaj, duke përdorur familjarët e saj, bashkëshortin H.J., vajzat A.J. dhe An.J., iu ka dhënë instruksione të qarta për lokacionin e takimit, orën e takimit dhe personin me të cilin duhet të takohen, për t’iu marrë shumën e caktuar të parave, të cilat i ka fituar në këmbim të kryerjes së shërbimeve të kundërligjshme.”

​Në anën tjetër, e pandehura Fatma Shtufa kishte rolin e ndërmjetësimit dhe plotësimit të dokumenteve.

​”…ndërsa e pandehura Fatma, duke shfrytëzuar autoritetin e saj si person zyrtar në ARC, pas marrëveshjes paraprake me të pandehurën Gylsen, ka gjetur persona për t’iu kryer shërbim në nxjerrjen e lejeqëndrimit, fillimisht duke ua plotësuar formularin e aplikimit (për këtë ka pranuar para në shuma të ndryshme), pastaj të njëjtin formular e dërgon te e pandehura Gylsen, duke iu shmangur procedurave të rregullta ligjore…”

​Sa para u morën ryshfet? Cila është shuma e vetme financiare që përmendet në dosje

​Përderisa dosja e Prokurorisë e bën të qartë se zyrtaret e përfshira dhe ndërmjetësit kanë vepruar për përfitim të pastër material, në aktin fillestar nuk është specifikuar ende një shumë e saktë apo totale e mjeteve financiare të përfituara si ryshfet, përveç formulimit se kanë marrë “para në shuma të ndryshme” nga shtetasit e huaj.

​Shuma e vetme fikse me vlerë monetare që përmendet në të gjithë dokumentacionin e gjykatës është ajo e ofruar nga mbrojtja e të pandehurës Gylsen Jahiri. Mbrojtësi i saj i ofroi gjykatës 5.000 euro dorëzani si garanci financiare, me qëllim që klientja e tij të lirohej nga paraburgimi dhe t’i caktohej masa e arrestit shtëpiak.

​”E kam personin brenda” – Roli i turkut të “Wolt-it” dhe falsifikimi i diplomave

​Pjesë e këtij grupi korruptiv, sipas hetimeve, është edhe shtetasi turk Dervis Keleci, i cili punonte në kompaninë “TCG Prime Group Partners L.L.C” (e njohur për shërbimet e transportit të Volt/EOLT).

​Keleci shërbente si pika kryesore e kontaktit me bashkëatdhetarët e tij nga Turqia, të cilët dëshironin të qëndronin në Kosovë pa i plotësuar kushtet ligjore.

​Dosja e Prokurorisë zbardh se si ai falsifikonte dokumentet kryesore të aplikimit:

​”Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në vazhdimësi ka përpiluar dokumente të falsifikuara dhe atë, të kaluarën kriminale, diplomën e shkollës së mesme dhe pasaportat e shtetasve turq, ashtu që, në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke pranuar persona të rinj nga Republika e Turqisë, nga ta ka kërkuar vetëm diplomën e shkollës dhe pasaportën, ndërsa të gjitha dokumentet e tjera ua ka përgatitur vet.”

​Në përgjimet ligjore të realizuara nga hetuesit policorë, Keleci u premtonte aplikuesve se procedura do të kryhej me siguri për shkak të lidhjeve të tij brenda Ministrisë

​”…ku i dyshuari thuajse çdo personi nga Turqia i thoshte të mos brengosej, sepse të gjitha dokumentet e tjera ia përgatit ai, sepse e ka personin brenda lejeqëndrimeve dhe pa problem do të kryhet puna…”

​Prokuroria gjithashtu sqaron se si njohja e gjuhës turke ua lehtësonte zyrtareve kosovare kontaktin me aplikuesit

​”lidhja mes këtyre personave ka ardhur si rezultat i dy të dyshuarave Gylsen Jahiri dhe Fatma Shtufa, që të dyja kanë shtetësi kosovare, ndërsa në zhargonin popullor e thërrasin veten turke dhe lehtësimi i tyre sa i përket gjuhës turke dhe kontakteve me shumë persona nga shteti i Turqisë, ka bërë që këto lejeqëndrime të përgatiten nga e pandehura Gylsen Jahiri thuajse vetëm për shtetas turq”, thuhet në dosje.

​Sipas dosjes, brenda një periudhe gjashtëmujore, i pandehuri Keleci ka arritur të sjellë në Kosovë dhe t’u përgatisë lejeqëndrime ilegale një numri të madh të shtetasve turq.

Prokuroria ka listuar një sërë raportesh njoftuese dhe vëzhgimi të mbledhura gjatë muajve shkurt–korrik 2026, procesverbalet e kontrollit në shtëpitë e të pandehurve dhe vërtetimet mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve dhe telefonave celularë për ekzaminim forenzik.

​Në këtë rast gjithashtu ishte ndaluar, por më pas u la në procedurë të rregullt, edhe e dyshuara E.Q., e cila në këtë proces përfaqësohet nga avokati Alban Arifi.

​Përplasja në seancë dëgjimore: Oferta prej 5.000 eurosh dorëzani dhe pretendimet e mbrojtjes

​Gjatë seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, duke kërkuar masa më të buta.

​Mbrojtësi i Gylsen Jahirit i ka kërkuar gjykatës që ndaj saj të caktohet masa e arrestit shtëpiak, duke ofruar garanci financiare prej 5 mijë eurosh dhe dorëzimin e pasaportës.

​”Ne rastin konkret masa e arrestit shtëpiak me dorëzani 5 mijë euro dhe dorëzimi i pasaportës dhe çdo dokumenti të udhëtimit është e mjaftueshme për të bindur gjykatën se zhvillimi i kësaj procedure penale do të jetë normal. Prandaj… propozojmë që ndaj saj të caktohet masa e propozuar si më lart. Dhe shton se e mbrojtura ime asnjëherë nuk ka rënë ndesh me ligjin”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

​Vetë e pandehura Gylsen Jahiri ka deklaruar para trupit gjykues se e përkrah mbrojtësin e saj dhe se “nuk ka gjë tjetër çfarë të shtojë”.

​Nga ana tjetër, avokatja e Fatma Shtufës, Leonora Gashi, ka kërkuar vetëm masën e lajmërimit në stacionin policor, duke potencuar se klientja e saj ka bashkëpunuar që nga momenti i arrestimit se​”…një pjesë të fajësisë e ka pranuar gjatë deklaratës në polici dhe që nga fillimi ka qenë e gatshme të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për të gjitha informacionet që ajo i din… e dyshuara ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë që të bashkëpunojë dhe të japë informata… Po ashtu shtoj se e njëjta është kujdestare e prindit të saj të sëmurë dhe me caktimin e masës së paraburgimit i rrezikohet jeta e prindit, sepse nuk ka kush të kujdeset”.

​Arsyetimi i Gjykatës: Dukuri në “rritje ekstreme” dhe rrezik për sigurinë kombëtare

​Përkundër pretendimeve të mbrojtjes dhe propozimeve për dorëzani e arrest shtëpiak, gjyqtarja e procedurës paraprake i ka refuzuar të gjitha kërkesat e avokatëve dhe ka vendosurpër miratim të pjesërishëm të e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për tre të pandehurit kryesorë: Gylsen Jahiri, Fatma Shtufa dhe Dervis Keleci.

​Në arsyetimin e vendimit, gjykata thekson se lirimi i tyre ose caktimi i masave më të buta do të dëmtonte rëndë hetimet.

​Gjykata vlerësoi se, për shkak të dënueshmërisë së lartë (vepra e keqpërdorimit të detyrës zyrtare parashikon dënim deri në tetë vjet burgim, ndërsa falsifikimi deri në katër vjet), ekziston rrezik real i arratisjes.

​Gjykata gjeti se ekziston rreziku real i asgjësimit ose falsifikimit të provave, si dhe ndikimit te numri i madh i dëshmitarëve, shtetas turq, që janë pajisur me lejeqëndrime ligjërisht të kontestuara.

​ Gjykata në aktvendim ka përdorur terma mjaft të ashpër lidhur me natyrën e këtij krimi zyrtar që sipas tyre​”…duke pasur parasysh peshën e veprave penale, që parashihet dënim i lartë që mund t’i shqiptohet, si dhe dukuria e tillë e veprave penale është në rritje ekstreme dhe pasojat e shkaktuara nga kjo vepër penale janë tejet të mëdha në shoqëri”.

​Gjithashtu, në kërkesën e miratuar nga gjykata, prokurori Besnik Jakupi ka paralajmëruar se veprimet e këtij grupi zyrtarësh përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të rendit dhe sigurisë publike në vend: ​”Fakti se shtetasit e huaj në këtë mënyrë pajisen me lejeqëndrim të Republikës së Kosovës paraqet rrezik real për sigurinë e përgjithshme”.

Hetimet po vazhdojnë me ekzaminimin forenzik të pajisjeve elektronike dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet./Insajderi.org/

JU REKOMANDOJMË

Policia e Kosovës: Esat Shala është intervistuar si i dyshuar pasi personi që e ka përmendur ndihet i kanosur

Qytetari gjen telefonin dhe portofolin e humbur, i dorëzon në polici
24/07/2026 - 21:19

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media kanë thënë se Esat Shala është intervistuar sot në cilësinë e personit të dyshuar. Kjo pasi ndaj tij është bërë...

Më shumëDetails

Valdete Daka: Nuk ia fali Vjosa Osmanit, më ka shkarkuar politikisht dhe për ego personale

Valdete Daka: Nuk ia fali Vjosa Osmanit, më ka shkarkuar politikisht dhe për ego personale
24/07/2026 - 21:03

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se nuk ia ka falur Vjosa Osmanit për faktin që e ka shkarkuar nga pozita e drejtueses së Komisionit Qendror të...

Më shumëDetails

Çka ndodhi me 135 nxënësit e Kosovës që u ishte premtuar punësim në spitalet e Austrisë? (Video)

Çka ndodhi me 135 nxënësit e Kosovës që u ishte premtuar punësim në spitalet e Austrisë? (Video)
24/07/2026 - 20:44

Premtime për praktikë në Austri, punësim pas diplomimit dhe një të ardhme në Evropë. Me këtë narrativë u themelua në Prishtinë Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Austrian School”,...

Më shumëDetails

Kompania e biznesmenit të afërt me Qeverinë kap mega-tenderin gati 7-milionësh për derivate

Kompania e biznesmenit të afërt me Qeverinë kap mega-tenderin gati 7-milionësh për derivate
24/07/2026 - 20:37

Kompania “IP-KOS” SH.P.K., në pronësi të biznesmenit Shaip Mikullovci, ka dalë fituese në tri pjesë të tenderit të madh të shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit për furnizimin e institucioneve publike me...

Më shumëDetails

“Human Plus” e Sebahate dhe Gazmend Ahmetajt u kap me staf të palicencuar dhe shërbime mjekësore ilegale, gjobitet me 3 mijë euro

“Human Plus” e Sebahate dhe Gazmend Ahmetajt u kap me staf të palicencuar dhe shërbime mjekësore ilegale, gjobitet me 3 mijë euro
24/07/2026 - 20:04

Veprimtaria e shumë prej institucioneve private shëndetësore në Kosovë është kthyer në sfidë për shtetin, pasi që ato po operojnë vazhdimisht në mënyrë të kundërligjshme me shërbime të...

Më shumëDetails

Haliti: Presidenti mund të jetë nga PDK-ja edhe nëse nuk ka koalicion me Vetëvendosjen

Haliti i quan zgjedhjet e 12 tetorit më të pakuptimtat: Beteja për Drenasin, më e ndjekura nga qytetarët
24/07/2026 - 19:52

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka deklaruar në emisionin “DPT te Fidani” se presidenti i ardhshëm mund të jetë i propozuar nga...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ndërpritet emisioni, analisti i vërsulet Nexhmedin Spahiut

    Ndërpritet emisioni, analisti i vërsulet Nexhmedin Spahiut

    121 Shpërndaje
    Shpërndaje 48 Tweet 30
  • Kryente analiza molekulare pa licencë dhe kishte staf të palicencuar – gjobitet “Pinea Medical Center Healthcare”

    107 Shpërndaje
    Shpërndaje 43 Tweet 27
  • Euroja ndryshon pamje pas më shumë se 20 vitesh

    106 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 27
  • Dr. Gëzim Bajrami sfidon vendimin e shtetit, kryen analiza në poliklinikë edhe pas pezullimit të veprimtarisë

    126 Shpërndaje
    Shpërndaje 50 Tweet 32
  • Policia deklarohet për Veriu.info për plagosjen në Vushtrri: I dyshuari gjendet në arrati (Video)

    218 Shpërndaje
    Shpërndaje 87 Tweet 55

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë