Jamie Shea, ish-zëdhënësi i NATO-s, ka theksuar se heqja e kufizimeve të importit nga Kosova ndaj Serbisë është një hap pozitiv, duke sjellë reagime të favorshme nga komuniteti ndërkombëtar.Ai në një përgjigje për GazetaBlic, shprehu shpresën se kjo lëvizje mund të nxisë tregtinë ndërkufitare, por theksoi se përfitimet do të jenë afatgjata vetëm nëse lidhen me dy procese thelbësore.
Së pari, Shea kërkoi një plan të qartë nga BE-ja për heqjen e sanksioneve aktuale ndaj Kosovës dhe një angazhim më të fortë me Prishtinën për anëtarësimin në BE. Së dyti, ai theksoi nevojën për uljen e “retorikës së luftës” nga të dyja palët, duke kërkuar një angazhim më pozitiv nga Serbia për të rikthyer diskutimet serioze mbi normalizimin e marrëdhënieve.Shea përfundoi duke thënë se vetëm përmes këtyre hapave mund të krijohet besimi i nevojshëm për një të ardhme më të qëndrueshme në rajon.
Përgjigja e plotë e Sheas dhënë për GazetaBlic:Është mirë që Kosova po heq kufizimet e importit ndaj Serbisë. Reagimet ndërkombëtare kanë qenë pozitive. Shpresojmë se kjo lëvizje mund të stimulojë më shumë tregti ndërkufitare. Por lëvizja mund të jetë e dobishme vetëm në afat të gjatë nëse lidhet me dy procese.
Së pari, nevojitet një plan kohor dhe udhërrëfyes i qartë nga BE-ja për heqjen e sanksioneve aktuale kundër Kosovës. BE-ja duhet të angazhohet më shumë me Prishtinën, jo më pak, dhe ta sjellë atë plotësisht në planin e ri të Veprimit financiar për Ballkanin Perëndimor si një hap drejt anëtarësimit në BE.Së dyti, duhet të ketë një ulje të “retorikës së luftës” nga të dyja palët dhe një angazhim më pozitiv nga pala serbe, në vend që të futet në xhep koncesioni dhe të ofrohet pak substancë konkrete në këmbim. Retorika armiqësore kundër Kosovës dhe pretendimi se ajo nuk ekziston nuk po ndihmojnë. Është koha për t’iu rikthyer diskutimeve serioze për normalizimin e marrëdhënieve, që është mënyra e vetme për të krijuar besim.












