Komuna e Mitrovicës i ka ndërprerë zyrtarisht dje punimët kompanisë ndërtimore “Aurora Group”, cila kishte filluar ndërtimin e një objekti banesor pa leje pranë Universitetit të Mitrovicës, gjë të cilën drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Edison Tërnava e kishte konfirmuar për Veriu.info para një jave, por që Drejtorisë së Inspeksionit iu deshtën një javë për t’i ndërprerë punimet ilegale në këtë parcelë.
Drejtori i Urbanizmit i komunës së Mitrovicës kishte konfirmuar se kompania në fjalë është në procedurë të marrjes së lejes për këtë objekt banesor. Gazeta ka hulumtuar rastin pas raportimit të lexuesve që ka marrë, të cilët pretendojnë se aty është bërë një keqpërdorim me vija kadastrale të kanalit të ujit që kalonte nëpërmes parcelës ku ka filluar ndërtimi pa leje, të cilat janë ndryshuar në “gjeoportal” për t’i mundësuar marrjen e lejes ndërtimore kompanisë “Aurora Group” në të ardhmen e afërt.
Pas këtyre raportimeve, Veriu.info i ka drejtuar pyetje drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në komunën e Mitrovicës, Artan Berisha, se a janë ndryshuar (vija e kuqe tregon ndryshimin) vijat kadastrale të kanalit publik të ujitjes në parcelën 03765-0, e i cili ka pranuar se janë ndryshuar vijat kadastrale të kanalit publik të ujit.

“Po ka patur, me qëllim të implementimit te Planeve Rregulluese urbane dhe PZHK, kemi bërë ç’vendosjen e kanalit jasht vijës ndertimore me Pelqimin e DPU ashtu siq e parasheh Plani Rregullues Urban “Ilirida me Fidanisht” i miratuar ne vitin 2013, Plani Zhvillimor Komunal 2020-2028 i miratuar nga Kuvendi Komunal Mitrovicë në vitin 2020, pa e nderpre vazhdimsin e kanalit, pa e demtuar siperfaqen ne m², pasi hapja e kesaj rruge është prioritet i Kuvendit Komunal Mitrovicë, dhe kjo rruge paraqet një nga arterjet kryesore per Zonen Urbane”, ka thënë drejtori Berisha.
Ai po ashtu ka thënë se: “ndryshimi është bërë nga Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë më kërkesë të Drejtorisë për Planifikim dhe Urbanizëm, ashtu siç e parashohin Planet të cilat janë miratuar nga Kuvendi Komunal Mitrovicë për hapjen e rrugës ‘Ali Zeneli’.”
Kur ka dhënë shpjegime për bazën ligjore të ndryshimit të vijave kadastrale të kanalit të ujitjes, ani pse ai nuk ka lëvizur rrjedhën në terren por vetëm është bërë ndryshimi në “gjeportal” nga komuna, drejtori Berisha ndër të tjera ka thënë se është përdore edhe: “Plani Zhvillimor Komuanl 2020-2028 i miratuar nga Kuvendi Komunal Mitrovicë me dt.26.11.2020 nr. 0074246/20-3,me Pëlqimin paraprak të Ministrisë së Infrastruktures dhe Ambientit me nr .4129-2/20 dt. 28.10.20, ku hapësira ku është ky kanal është shendrrue ne tokë ndertimore d.m.th ju ka ndrrue statusi i ati kanali inekzistent, me Pelqim edhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit”. Këtë përgjigje drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në komunën e Mitrovicës e ka dhënë më datë 31 mars.
Në lidhje me këtë përgjigje të tij, Veriu.info i ka dërguar pyetje prapë atë ditë duke e pyetur: “tek përgjigja keni thënëe se ‘Plani Zhvillimor Komuanl 2020-2028 i miratuar nga Kuvendi Komunal Mitrovicë me dt.26.11.2020 nr. 0074246/20-3, me Pelqimin paraprak te Ministris së Infrastruktures dhe Ambientit me nr .4129-2/20 dt. 28.10.20, ku hapsira ku eshte ky kanal eshte shendrrue ne tokë ndertimore d.m.th ju ka ndrrue statusi i ati kanali inekzistent, me Pelqim edhe te Ministris se Infrastrukturse dhe Ambientit’. Atëherë a mund të na tregoni se në cilën faqe, nen apo pjesë tekstit të Planit Zhvillimor Komunal 2020-2028 thuhet që këtij kanali publik të ujërave i ndërrohet statusi në tokë ndërtimore?
Kur kanë kaluar pesë ditë nga përgjigje fillestare e tij dhe pyetja jonë e dytë, ku i kërkojmë përgjigje konkrete në lidhje me pretendimin e tij, drejtori Artan Berisha akoma nuk ka kthyer përgjigje, ani pse për t’u përgjigjur në pyetjet i para i është dashur vetëm një ditë.
ÇKA FSHIHET PAS APLIKIMIT PËR LEJE NDËRTIMORE NGA “AURORA GROUP” NË DREJTORINË E URBANIZMIT?
Nga gjendja reale e përditësuar ditëve të fundit në “gjeoportal” prej Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në komunën e Mitrovicës, shihet se kanalit publik të ujit që kalon nëpërmes kësaj parcele ndërtimore, i është ndërruar rrjedha në mënyrë fiktive, duke bërë që vijat e kanalit të ujit të zhvendosen në qoshin e parcelës. Pra, vijat e kanalit publik të ujit janë ndërruar vetëm në letra, por jo edhe gjendja faktike në terren. Duke pasur parasysh se kanalet e ujit janë pronë publike, ndërrimi i vendit të tyre, pra zhvendosja e tyre nënkupton këmbim të pronës komunale sepse me zhvendosje kanali vendoset në pronë private, e i cili sipas legjislacionit në fuqi mund të bëhet vetëm me vendim të Kuvendit Komunal. Pra, për një vendim të tillë duhet të votojnë shumica e asambleistëve në Kuvendin e Komunës, duke ndjekur paraprakisht disa procedura strikte ligjore. Ky skandal nuk përfundon këtu!
Veriu.info pasi që ka hulumtuar të dhënat në “gjeoportal” ka parë se kompania ndërtimore “Aurora Group” edhe pse ka marrëveshje me banorët e zonës për rrënimin e shtëpive dhe ndërtimin e një objekti banesor, kjo kompani i ka bashkuar parcelat jo me qëllim të hapjes së rrugës “Ali Zeneli” pas marrjes së lejes ndërtimore në vendin ku sot Drejtoria e Inspeksionit ia ndali punimet. Kjo pasi zonën ndërtuese e ka ndarë në tri parcela, ku më e çuditshm është kjo shtëpi që shihet në foto që e ka ndarë në dy parcela kadastrale, sikurse me qenë dy shtëpi aty, ani pse është vetëm një shtëpi.

Burimet të Veriu.info nga komuna e Mitrovicës bëjnë të ditur se “Aurora Group” ka kërkuar leje ndërtimore për objektin që iu ndalen punimet, duke u thirrur në vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës të datës 26.11.2020, i cili iu jep prioritet për trajtim rrugëve ‘Ali Zeneli’ dhe ‘Lah Nimani’. Sipas pikës 1 të këtij vendimi obligohet Drejtoria e Urbanizmit që të trajtoj me prioritet këto dy rrugë, duke u mbështetur në pikën 2 të vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës të datës 08.07.2011, ku thuhet se koeficienti i ndërtimit duhet të jetë 4.5. Pra, me vendimin e vitit 2020 specifikohet se koeficenti i ndërtimit në këto dy rrugë duhet të jetë 4.5, e gjitha me qëllim të mundësimit të hapjes së këtyre dy rrugëve që pritet ta lirojnë ngarkesën e qarkullimit në rrugët e qytetit të Mitrovicës.

Nga skica e vijëzuar me të kuqe shihet se në lejen ndërimore të kërkuar “Aurora Group” nuk ka për qëllim hapjen e rrugës, sepse parcela me numër 03765-0 nuk e liron hapësirën për hapjen e rrugës “Ali Zeneli”, pasi që në mes të kësaj parcele janë krijuar edhe dy parcela tjera të cilat nuk mund të trajtohen në leje ndërtimore, kjo për shkak se për të marrë leje ndërtimore e gjithë zona ndërtuese duhet të bashkohet në një parcelë kadastrale të vetme.

Pra, nëse Drejtoria e Urbanizmit i jep leje ndërtimore me koeficent kompanisë në parcelën 03765-0 ku ka nisur ndërtimi pa leje, atëherë bën shkelje ligjore, sepse sipas vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës të vitit 2020 ky koeficient në këto dy rrugë jepet vetëm kur qëllimi i ndërtimit është hapja e rrugës dhe me lënien e një shtëpie (fiks në vijën e rrugës ‘Ali Zeneli’ – shih foton e mëposhtme) në mes të zonës ndërtuese nga kjo kompani, atëherë ndërtimi i këtij objekti banesor nuk ka për qëllim hapjen e rrugës dhe rrjedhimisht nuk mund të trajtohet me vendimin e Kuvendit Komunal.

Veriu.info mëson se “Aurora Group” po tenton që të marrë leje ndërtimore me koeficient 4.5 në për të ndërtuar një objekt tjetër banesor në rrugën ‘Nexhip Dragaj’ duke i ofruar mundësinë komunës që ta trajtoj në kuadër të kësaj leje shtëpinë e ndarë në dy parcela mes parcelës ku është ndërtuar ilegalisht për disa ditë. Por sipas vendimit të Kuvendit të Komunës të vitit 2020, koeficienti 4.5 mund të jepet vetëm për ndërtime në rrugët ‘Ali Zeneli’ dhe ‘Lah Nimani’, e jo duke trajtuar parcelat në këto rrugë, të jepet leje me këtë koeficient ndërtimor në pjesët e tjera të qytetit.













