Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar pasi Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, sipas raportimit të REL-it.
Kajtazi tha se tashmë kanë filluar masat konkrete ndaj Kosovës, si formë presioni ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Javën e kaluar kemi folur këtë, në mënyrë të veçantë unë, se çka e pret Kosovën këtë javë. tashmë kanë nisur masat konkrete publike, në raport me shtetin e Kosovës, si formë presioni për këtë theqafje politike të zotit Kurti. Qysh javën e kaluar, të premten, si qytetar i këtij vendi, e kam ndier veten tepër keq dhe të pafuqishëm që KFOR-i e kthen mbrapa një ministër, që s’mund të shkel tokën e Kosovës, dhe kjo është paralajmërim se çka ndodh në veri. Çka ndodh atje, pak më vonë mundem me fol”, tha ai në Klan Kosova.
“Kemi listën e masave, sanksioneve, që janë të buta, sepse në çdo raport, kur vendosen nisen nga më të butat deri ato më radikale. Ky është vetëm fillimi, lidhet me integrimin e Kosovës dhe anën financiare. Mos të harrojmë, masat e tilla ndërlidhen me sigurinë, pritet me i shpall ShBA-të, ata janë partneri i FSK-së në rrugën e saj. Këto masa që prekin sigurinë në kombinim me këto masa që pritet m u shpall zyrtarisht, Kosovën kanë me pru në gjendje katastrofale”, shtoi ai.
Ai foli edhe për deklaratat e sotme të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili konfirmoi anulimin e mbledhjes së dy qeverive dhe paralajmëroi “pasoja të mëdha” për Kosovën nga ndërkombëtarët.
Sipas Kajtazit, Rama nuk mund të dalë kundër qëndrimit zyrtar të NATO-s në raport me situatën në Kosovë.
Ai shtoi se si i tillë, Rama nuk mund të jetë mbështetës i Kurtit në këtë gjendje. Po ashtu, Kajtazi tha se aktualisht Kosova nuk e ka asnjë aleat, pas tensioneve të krijuara në veri të Kosovës.
“Sa i përket Ramës, kushdo që mendon se ai është tradhtar, e ka gabim. Zoti Rama është kryeministër i një shteti që është anëtar i NATO-s. Në kuadër të privilegjeve që ka Shqipëria, ka edhe detyrime. S’mund të dalë jashtë qëndrimit të NATO-s. Mundet me heshtë. S’mundet me qenë mbështetës i Kurtit në këtë situatë. Bile bile, do të ishte gabim të ishte mbështetës në theqafjen politike të Kurtit. Mbështetja për Kurtin do të ishte izolim për Kosovën. A ka Kosova ndonjë vend aleat në këtë proces? Gjeji një ama, që Kosova e ka në këtë proces, asnjë. Ne na pëlqen me citu një deputete të parlamentit britanik apo bundestagut, pesha e tyre, ne nuk kemi aleatë sot.













