Gazetari Vehbi Kajtazi i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani, e cila nga Strasburgu e ka shpërndarë një fotografi të sajën me një flamur të BE-së në prapavijë me mbishkrimin: “Evropa, shtëpia e jonë”.
Reagimi i Osmanit vjen pas raportimeve se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, sipas REL-it, transmeton Paparaci.
Prandaj sipas Kajtazit, Osmani sonte do të duhej të sillej si presidente sonte për herë të parë.
“Mos ta paraqiste veten si një blogere e rrjeteve sociale me një mesazh e flamur aty, kur vendin e ke në krizën më të madhe politike në raport me Perëndimin. Dhe qysh ty të mjafton ‘Kosova, evropë’ një flamur aty”, tha ai në Klan Kosova.
Osmani, sipas Kajtazit, duhet t’i drejtohet popullit dhe ta thërrasë një konferencë të jashtëzakonshme për media, pas ngjarjeve të fundit në Kosovës.
“Ajo është garantuese e rendit kushtetues në këtë vend dhe si garantuese, unë gjithmonë kam shpresuar dhe shpresoj që zonja Osmani në fund do të bëjë kthesën, por deri tash ka treguar se nuk e ka guximin për të marrë veprime që e diferencojnë nga veprimet e përgjegjshme të zotit Kurtit. Ajo është presidente, nuk është presidente e Kurtit, por e Kosovës. Duhet me garantu, është shefe e politikës së jashtme. Në çfarë niveli i ki marrëdhëniet me BE-në dhe ShBA-të, si përfaqësuese e politikës së jashtme. Presidente është kjo, do të duhej të ishte të paktën”, shtoi ai.













