Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka reaguar në platformën X, pas raportimeve për një marrëveshje mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe liderit rus Vladimir Putin për lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës ruse.
Kallas nëvizoi se lehtësimi i masave ndëshkuese ndaj Moskës në këtë moment i jep kësaj të fundit më shumë financa për të vazhduar agresionin ushtarak në Ukrainë, ndërsa njoftoi se BE-ja po përgatit paketën më të madhe të sanksioneve që nga fillimi i luftës.
“Sulmet ruse kanë vrarë më shumë se 80 civilë ukrainas brenda vetëm dy ditëve. Për më tepër, Rusia ka intensifikuar sulmet e saj hibride kundër Evropës, si ndaj vendeve anëtare të BE-së, ashtu edhe ndaj aleatëve të NATO-s. Pezullimi i sanksioneve për naftën dizel ruse i siguron Moskës më shumë të ardhura për të financuar luftën,” u shpreh Kallas përmes një reagimi publik.
Ajo bëri të ditur se Evropa nuk do të tërhiqet nga presioni ndaj Kremlinit.
“Ky nuk është momenti për të ulur presionin mbi Rusinë dhe Evropa nuk do ta bëjë këtë. Të hënën, ministrat e Jashtëm të BE-së synojnë të miratojnë paketën më të madhe të sanksioneve të targetuara kundër makinës ushtarake të Rusisë që nga fillimi i luftës,” deklaroi shefja e diplomacisë evropiane.













