
Një zyrtar policor është suspenduar nga puna pasi dyshohet të jetë i përfshirë në skandalin me narkotikë bashkë me disa zyrtarë komunal të Leposaviqit, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Sipas Inspektoratit Policor, i njëjti dyshohet se ka kryer vepren penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.
Veriu.info mëson nga burimet se gjatë bastisjes në shtëpinë e policit janë gjetur një kallashnikov A47, 30 copa fishekë dhe një pushkë gjuetie.
IPK thekson se në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.











