
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal ndaj kompanisë “VisaMetric” së cilës Gjykata Komerciale e Kosovës ia ka ndaluar që të marrë nga 30 euro për shërbime postare për pasaportat e qytetarëve.
“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se lidhur me këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal. Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve sipas dispozitave ligjore të KPPRK-së, dhe atë në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Kujtomë se Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “VisaMetric” detyrimin e pagesës prej 30 eurosh për dërgesën postare të pasaportës gjatë aplikimit për viza në ambasadën e Gjermanisë.












