Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar mbi raportin e DASh-it duke vënë në pah pikat e theksuara nga ky departament mbi Serbinë për diskriminimin e shqiptarëve ndër vite atje, shkruan Front Online.
Kamberi ka thënë se ky raport është një alarm për të vepruar kundër diskriminimit të shqiptarëve në Serbi, pasi siç shprehet ai, procesi i pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, është njëra nga pikat më të theksuara nga raporti i fundit i DASh.
“Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut shënon sfidat e vazhdueshme të diskriminimit në Serbi. Komunitetet minoritare, si shqiptarët, vazhdojnë të përballen me pengesa të mëdha dhe dhunë sistematike. Ndër pikat e theksuara nga DASH si formë e papranueshme është procesi i pasivizimi të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si dhe nevojën imidiate për implementimin e ‘Planit 7 Pikërish’ “, ka shkruar Kamberi.
Tutje deputeti Kamberi ka përmendur edhe pjesën e raportit si, diskriminimi në punë i shqiptarëve në Luginë të Preshevës, mungesa e aksesit në shërbime themelore, dhe marginalizimin social.
Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi ka theksuar se për shkak të mos veprimeve për të adresuar këto shqetësime, qytetarët po humbasin besimin në institucionet qeveritare të Serbisë.
“Në një shoqëri ku barazia dhe drejtësia duhet të jenë parimet themelore, është e papranueshme që disa komunitete të ndjehen të izoluara dhe të përballojnë diskriminim për shkak të prejardhjes së tyre etnike. Në mungesë të veprimeve të menjëhershme dhe efektive për të adresuar këto shqetësime, qytetarët po humbasin besimin në institucionet qeveritare”, është shprehur Kamberi.