Kancelari austriak Christian Stocker tha se ishte i befasuar nga reagimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndaj pyetjeve të gazetarëve austriakë gjatë vizitës së tij në Beograd.
Brenda, në sallën e shtypit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe kancelari austriak, Christian Stocker, si pjesë e vizitës së tij të parë në Beograd, filluan takimin e zakonshëm diplomatik, shkruan gazeta austriake KleineZeitung.
Megjithatë, pyetjet e para në lidhje me protestat disamujore kundër korrupsionit dhe ngecjen e qasjes së Serbisë ndaj BE-së e nxorën jashtë kontrollit Vuçiqin e bezdisur dukshëm. “Unë nuk jam diktator, siç ju gjithmonë më paraqitni mua”, u tha ai dy herë gazetarëve nga delegacioni i mysafirëve të tij, transmeton Reporteri.
Kancelari Stocker më vonë pranoi se reagimi emocional i Vuçiqit e habiti: “I thashë se përballem me pyetje kritike çdo ditë. Kjo duhet të durohet. Kjo është liria e medias.”
Performanca e Vuçiçit në konferencën për shtyp tregoi edhe një herë pse ai po bëhet një partner gjithnjë e më problematik për BE-në – qoftë për shkak të mangësive në sundimin e ligjit, dialogut të ngrirë me Kosovën apo refuzimit për të harmonizuar politikën e jashtme me BE-në, përfshirë vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Për katër vjet, Serbia nuk ka arritur të hapë ndonjë kapitull apo grup të ri në negociatat për anëtarësim, dhe krijohet përshtypja se nën udhëheqjen e Vuçiqit, anëtarësimi në BE është ende një perspektivë e largët, pohon gazeta austriake.
Që nga nëntori i vitit të kaluar, kur 16 persona vdiqën nën rrënojat e çatisë së shembur të stacionit hekurudhor të rinovuar në Novi Sad, vala e protestave kundër korrupsionit vazhdon të trondisë vendin.