Një incident serioz ka ndodhur brenda Gjykatës Themelore në Vushtrri, ku gjatë një seance gjyqësore dyshohet se është kanosur prokurori Muharrem Prekazi, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se për rastin është ndaluar Avdulla Gërbeshi rreth 62, ndaj të cilit është iniciuar procedurë penale për veprën: “Kanosje”.
Sipas informatave, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda pranë DHKOKR-së është njoftuar më 13 maj 2026 nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë se incidenti kishte ndodhur gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore në Gjykatën Themelore në Vushtrri.
Sinjali mëson se pas pranimit të informatës, hetuesit kanë intervistuar fillimisht prokurorin Muharrem Prekazi në cilësinë e viktimës, ndërsa më pas është siguruar dhe intervistuar edhe i dyshuari.
Pas marrjes së deklaratës, me vendim të Prokurores nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, 62-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














