Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për situatën me furnizimin me energji elektrike, duke e cilësuar atë si dështim të rëndë qeverisës.
Sadiku, në një postim, ka rikujtuar deklaratat e mëhershme të Kurtit për energjinë, ndërsa ka përmendur shpenzimet për import, investimet në riparimin e termocentraleve dhe subvencionet, për të cilat thotë se nuk kanë sjellë rezultatet e premtuara.
Postimi:
“Po flejna mbi qymyr”, thojke.
“Rryma ka me u liru kur të vijmë në pushtet”, thojke.
1.1 miliard euro i kanë shpenzu për import të rrymës. E hala po blejnë.
Qindra miliona euro thonë se i kanë investu në riparime të termocentraleve.
Qindra miliona të tjera në subvencione e grante.
E pas krejt këtyne miliardave, ku jemi sot?
Me masa emergjente në energji.
Me ndërprerje të rrymës.
Me termocentrale që bien vazhdimisht prej sistemit.
Pa investime serioze në kapacitete të reja prodhuese.
Pa strategji të qartë. Pa vizion energjetik.
Kemi qymyr nën tokë, por s’kemi rrymë mbi tokë.
Kjo nuk është veç paaftësi. Kjo është dështim i rëndë qeverisës.
E më e keqja është që, pas krejt këtyne dështimeve, ende dalin e na mbajnë ligjërata për sukseset e tyre.
Kërkoni more falje këtij populli!














