Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një rast i tillë është raportuar në orët e para të mëngjesit në Pejë, ku një 25-vjeçar ka kërcënuar zyrtarët policorë, të cilët ishin duke patrulluar në një pompë të derivateve, në rrugën “Zahir Pajaziti”.
Sinjali mëson se i dyshuari A. M., posa i ka parë policët ka dalë nga vetura e tij, duke iu drejtuar me fjalët “çka keni ju me mu, keni me pa kush jam unë.” Për të mos mbaruar me kaq, i njëjti ka marrë një mjet të hekurt nga vetura, duke iu vërsulur, me ç’rast ka tentuar ta godas njërin nga policët.
Për shkak të rrezikut që po u kanosej nga qytetari, policët intervenuan duke e arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të njëjtin, i cili edhe aty e ka kërcënuar një polic se “do të të mbys sa të dal nga stacioni”.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin prej 48 orësh, për veprën penale “kanosje”.












