Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli ka hedhur dyshime rreth një projekti të Komunës së Prishtinës që lidhet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kërçeli ka thënë se Përparim Rama është duke planifikuar vendosjen e shtyllave me flamujt e UÇK-së në hyrje dhe dalje të qytetit të Prishtinës, të cilët pritet t’i kushtojnë buxhetit të kryeqytetit 1 milion euro.
Sipas Kërçelit, vlera e këtij projekti llogaritet të jetë rreth 300 mijë euro, ndërsa ka hedhur dyshime mbi 700 mijë eurot tjera të parapara për këtë projekt.
“Siç duket, kryetari në largim ia paska vënë syrin edhe një shume të konsiderueshme të parasë publike, kësaj radhe duke u thirrur në emrin e lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Sipas informacioneve, është planifikuar një projekt në vlerë prej 1 milion eurosh për vendosjen e shtyllave me flamujt e UÇK-së në hyrje dhe dalje të qytetit të Prishtinës”.
“Ndërkohë, vlera reale e një projekti të tillë vlerësohet të jetë rreth 300 mijë euro. Kjo ngre dyshime serioze dhe kërkon sqarime se si është arritur në shumën prej 1 milion eurosh dhe ku do të shkojnë 700 mijë eurot e diferencës. Kryetar, emri i UÇK-së nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si mbulesë për keqpërdorimin e parasë publike!”, thuhet në reagimin e Kërçelit.
Ai ka bërë të ditur se do të kërkojë qasje në dosjen e lëndës, teksa ka shtuar se askush nuk duhet të lejohet ta përdorë sakrificën e UÇK-së për përfitime personale.
“Po të paralajmëroj publikisht se, në cilësinë e deputetit të Republikës së Kosovës, do të kërkoj qasje të plotë në dosjen e këtij projekti, përfshirë preventivin, specifikimet teknike, procedurat e prokurimit dhe të gjitha dokumentet financiare. Qytetarët e Prishtinës meritojnë transparencë dhe llogaridhënie. Ata do të informohen fije për pe për çdo euro të planifikuar dhe të shpenzuar në këtë projekt. Respekti për UÇK-në dëshmohet me vepra dhe dinjitet, jo me projekte të dyshimta milionëshe në emër të saj!”, ka përfunduar reagimi i tij.














