Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas deklarimeve të këtij të fundit lidhur me çmimin e shiritit nëntokësor, i cili, sipas Ramës, kushton 8.50 euro për metër dhe përfshin edhe shërbime të tjera.
Përmes një reagimi në Facebook, Kërçeli ka vënë në pikëpyetje nivelin e argumentimit të kryetarit të Prishtinës, duke e sfiduar atë në një debat publik televiziv.
“Kryetar, nuk po më besohet në çfarë niveli amatorizmi ke rënë. Përnjëmend, rrena i ka këmbët e shkurtra! Zgjedhe moderatorin dhe televizionin, e hajde të debatojmë!”, ka shkruar Kërçeli.
Reagimi i deputetit të LVV-së vjen pasi Rama e kishte akuzuar atë se po e paraqet çmimin e një shërbimi si çmim të vetëm të shiritit, duke theksuar se vlera prej 8.50 eurosh për metër përfshin furnizimin, transportin, punën e punonjësve, vendosjen, si dhe garancinë dhe mirëmbajtjen për 10 vjet.
Rama, në reagimin e tij paraprak, kishte paralajmëruar edhe ndjekje të rrugës ligjore ndaj, siç i kishte quajtur, shpifjeve që mund të bëhen ndaj tij.














