Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Prishtinë, ku dy vëllezër janë rrahur mes vete.
Një 42-vjeçar mbrëmë është dërguar me autoambulancë në Emergjencën e Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të lëndimeve që mori nga përleshja me vëllain e tij.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në rrugën ‘Dibra’ në kryeqytet, ku dy vëllezërit jetojnë në një shtëpi të përbashkët, por në kate të ndara e që vazhdimisht kanë telashe e mosmarrëveshje mes vete.
Por konfrontimet verbale mbrëmë eskaluan në sulm fizik, ku vëllai i madh ka sulmuar me karrige vëllain e tij, duke i shkaktuar atij lëndime trupore.
Njësitet policore kanë shoqëruar në stacion 52-vjeçarin, ndaj të cilit prokurori caktoi masën e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh për ‘Lëndim të lehtë trupor’, ndërsa vëllai i tij u lirua në procedurë të rregullt për shkak të gjendjes shëndetësore dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.












