Bashkimi Evropian ka bërë sërish thirrje që Kosova e Serbia të kthehen në dialogun në Bruksel.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha sot se s’duhet të ketë kushte për dialog dhe se ai duhet të vazhdojë e palët të kthehen në dialog.
“Të dyja palët duhet ta kuptojë këtë që dialogu duhet të vazhdojë dhe se ata duhet të angazhohen në një mënyrë kuptimplote duke provuar që të arrijnë kompromiset e nevojshme për të normalizuar raportet. Sa i takon 24 shtatorit, presim rezultatet e plota të një hetimi të kompletuar për të pasë një pasqyrë të qartë se çka ndodhi dhe kush ishte prapa”, u shpreh ai, derisa për ndërmarrjen e masave ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë tha se janë procedura konfidenciale.
Lidhur me këto deklarata, për Gazeta Blic janë deklaruar nga Qeveria e Kosovës.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, thotë se sulmi në Banjskë ka qenë cenim i sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe sigurisë kombëtare dhe se tani kemi një situatë të re, me prioritete tjera që lidhen me këtë sulm terrorist, duke shtuar se për Kosovën duhet garantuar siguri dhe sanksione ndaj Serbisë.
“Ajo çka ka ndodhur me 24 shtator në fshatin Banjskë ka qenë cenim i sovranitetit shtetëror, integritetin territorial dhe sigurisë kombëtare, si asnjë herë më parë prej përfundimit i luftës. Tani kemi një situatë krejt të re me prioritete tjetra urgjente e që kanë të bëjnë me adresimin e pasojave të sulmit terrorist të sponsorizuar nga Serbia. Ajo çka është e domosdoshme të ndodhë aktualisht është garantohet siguri për Kosovën dhe vendosen sanksione për Serbinë”, u shpreh Kryeziu.
Ai shton se Kosova ka qenë për dialog dhe marrëveshje vazhdimisht por kërkohet standard i mirëbesimit mes palëve dhe se sulmi terrorist vërtetoi se derisa në Bruksel flitej për marrëveshje, Serbia përgatiste plane të aneksim të veriut.
“Gjatë gjithë kohës Republika e Kosovës ka qenë palë e gatshme për dialog dhe marrëveshje. Por një proces i mirëfilltë i dialogut kërkon minimumin e standardit të mirëbesimit të ndërsjellë mes palëve. Sulmi terrorist, paramilitar dhe kriminal i datës së 24 shtatorit, ka vërtetuar se teksa në Bruksel zhvilloheshin takime për zbatim të Marrëveshjes Bazë që në qendër ka njohjen de-facto reciproke, Serbia po përgatiste plane për aneksimit të veriut”, deklaron zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.













