Gani Jakupi, konsulenti i jashtëm për Ambasadën e Kosovës në Bruksel paguhet hiç më pak se 7,500 euro në muaj e 90 mijë euro në vit për punën që bën, por duket se diplomacisë s’ia ka dorën fort. Së paku kështu sugjeron reagimi i tij në “Twitter” pas lajmit se Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës.
Të shtunën, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi bëri të ditur se Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza drejt këtij vendi, megjithatë, reagimi i Jakupit lë shumë për të dëshiruar sa i përket gjuhës diplomatike.
Karshi detyrës që ka e pagës që merr, Jakupi lajmit se Spanja i ka njohur pasaportat e Kosovës i ka reaguar me fjalët se “Duket se më në fund, Spanja ka ardhur në vete”. Kjo frazë në gjuhën angleze zakonisht i referohet kthimit të vetëdijes dhe veprimit të arsyeshëm, por përdoret edhe në mënyrë figurative.
Megjithatë, mbase kjo nuk është fraza e duhur për të përshkruar një vendim të rëndësishëm të një shteti të fuqishëm që mban qëndrim kundër pavarësisë së Kosovës dhe që Kosovës i duhet të lobojë fuqishëm për të marrë përkrahjen.
Mediat në Kosovë javë më parë kanë raportuar për kontratën e Gani Jakupit me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që kap shifrat e një page prej 7,500 euro në muaj e që i bie 90 mijë euro në vit.