Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka deklaruar se përkundër rritjes së buxhetit për barna, janë shtuar mungesat e tyre, abuzimet dhe, siç i quajti ai, tenderomania me barna.Gjatë diskutimit në Kuvendin e Kosovës, Zemaj tha se janë shtuar edhe mungesat e materialeve shpenzuese dhe atyre më elementare në institucionet shëndetësore, si dhe papërgjegjësia në menaxhimin e sektorit të shëndetësisë.
“Asnjëherë nuk ka qenë prioritet i kësaj Qeverie shëndetësia”, deklaroi Zemaj.Ai kritikoi edhe ndryshimet në menaxhimin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke përmendur emërimet, largimet e ministrave dhe formimin e komitetit ekzekutiv, përmes të cilit, sipas tij, ministrit i ishin marrë kompetencat.
Zemaj ngriti akuza edhe për keqpërdorime në prokurimin e barnave, duke pretenduar se rritja e buxhetit është shoqëruar me rritje të çmimeve dhe përfitimeve të kompanive farmaceutike.“300 për qind buxhet më shumë, 300 për qind çmime më të larta të barnave kundër kancerit, 300 për qind fitimi më i madh i dy kompanive farmaceutike”, deklaroi Zemaj.
Ai pretendoi se më shumë se 150 milionë euro nga buxheti për barna u janë dhënë në tenderë vetëm dy kompanive farmaceutike, duke ngritur dyshime për lidhjet e tyre me persona të afërt me pushtetin dhe financimin e partisë në pushtet.Deputeti përmendi edhe pretendimet për përfshirjen e një bashkëpunëtori të personave të pushtetit në hartimin e Listës së Barnave Esenciale dhe përfshirjen në të të barnave që, sipas tij, blihen nga kompanitë në fjalë, raporton BetimipërDrejtësi.
“Kjo është krim, kjo është hajni. Këtu e ka prokuroria. Po cila prokurori i ka? Cili polici i ka? Kush i mbulon këto?”, deklaroi Zemaj, duke kërkuar nga organet e drejtësisë që të hetojnë pretendimet e ngritura.Ai gjithashtu kritikoi kryeministrin Albin Kurti për vizitën te familja e një personi që Zemaj e lidhi me kompanitë farmaceutike të përmendura.
Në fund, Zemaj e lidhi mungesën e terapisë për pacienten e ndjerë me, siç tha ai, keqmenaxhimin dhe keqpërdorimet në sektorin e shëndetësisë.“Katër muaj ajo paciente nuk ka pasur barna. Katër muaj s’ka pasur. Tash, qysh ka vdekur, e dinë profesionistët dhe vjen si rezultat i asaj. Ky është çmimi i pafuqisë, ky është çmimi i keqmenaxhimit, ky është çmimi i keqpërdorimeve”, përfundoi Zemaj.













