Djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, Klestor Veseli, ka falënderuar popullin shqiptar për mbështetjen që i ka dhënë familjes së tij gjatë procesit gjyqësor ndaj babait të tij në Hagë, shkruan Insjaderi.
Pas shpalljes së aktgjykimit, me të cilin Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, Klestori është kthyer mbrëmë në Kosovë.
Ai është intervistuar nga mediat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku pas daljes nga terminali ka kërkuar mirëkuptim nga gazetarët, duke thënë se 24 orët e fundit kanë qenë kaotike.
Klestori Veseli u shpreh optimist për procesin në Apel, duke thënë se pret që situata të ndryshojë në favor të babait të tij.
“Ne jemi pozitivë që në Apel ka me u ndryshu gjendja për të mirë. Në të njëjtën kohë, nuk mundem pa i falënderu njerëzit e mirë të Kosovës, të popullit shqiptar, që na kanë përcjellë gjithkund edhe kanë ardhë pas neve. Ju faleminderit shumë”, tha Klestori Veseli.













