
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar se ashtu siç kishte thënë edhe Nasim Haradinaj se do t’i publikojnë të gjitha dokumentet për Gjykatën Speciale, ashtu do të veprojë edhe ai.
Klinaku ka thënë se nuk e kanë ndërmend të ndalen pavarësisht pasojave.
“Jo qe e ka thënë Nasimi, po vazhdimisht e them edhe sot, le të sjellin përsëri ja u qes dhe nuk e ndërrojmë qëndrimin si organizatat tjera”, tha ai.
“Në qoftë se Zyra e Prokurorit të Specializuar i nxjerrë ato CD, që ai person na ka thanë do t’i sjell neve përsëri, ne përsëri do t’i qesim para mediave. Nuk e kemi ndërmend që t’ia fshehim skandalet atyre, çdo skandal që iu del atyre nga zyra, ne i publikojmë”, tha Klinaku në Kanal10.












