Ushtruesi i detyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, në një konferencë për media akuzoi qeverinë e vendit se po tenton të hutojë opinionin publik me vizitat e tyre në Hagë, me qëllim që qytetarët të mos marrin pjesë në protestat e paralajmëruara nga kjo organizatë.
Klinaku akuzoi qeverinë se është në dijeni se veteranët do të protestojnë, dhe sipas Klinakut qeveria po mundohet të habisë opinionin publik kinse po shkojnë për të vizituar krerët e UÇK’së, sipas tij qeveritarët këtë po e bëjnë që të dezorientojnë opinionin publik që të mos marrin pjesë në protestat e tyre.
“Ka një muaj që qeveria e di qe ne do të bëjmë protestë. Ditëve të fundit po luftojnë se cili po shkon më shumë t’i vizitojë krerët apo pjesëtarët e UÇK-së në Hagë dhe cili do të shkojë t’i vizitojë gjë që s’bëjnë asgjë me këto vizita por qëllimin kryesor e kanë që nëse dalim në protestë ne ta trullosim opinionin që të mos dalë masa në protestë se gjoja se qenka për UÇK-në”, tha ai.
Më tutje ai shtoi se qeveritarët e vendit nuk kanë nevojë të bëjnë vizita atje, por ata duhet ti kryejnë obligimet e tyre ligjore
Ata s’kanë nevojë të bëjnë mbështetje me vizita atje, ata kanë nevojë t’i kryejnë obligimet ligjore që i kanë si shtet. Në qoftë me ato pagesa që duhet t’ua kryejnë apo shërbimet e avokatëve, apo vizitat familjare sepse krerët dhe pjesëtarët e UCK-së kanë nevojë që t’i vizitojnë vetëm familje, por shteti si shtet duhet të kujdeset për ta”, ka thënë Klinaku në një konferencë për media në të cilën ka bërë të ditur se veteranët do të protestojnë të hënën e ardhshme për ta kundërshtuar Ligjin për pagën minimale.













