
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, ka njoftuar se sot do kundërshtojnë me protesta projektligjin për pagën minimale, i cili nuk i përfshinë kategoritë e dala nga lufta.
Në një postim në Facebook, Klinaku ka bërë thirrje që të ketë dalje masive.
“Që të organizojmë protestë për nesër, është kohë e shkurtër. Ju duhet që të jeni në kontakt me degët tona në mënyrë që të dalim sa më masovikisht, dhe nëse ky pushtet e ndryshon ligjin, ne ju thërrasim për protestë ku do të qëndrojmë aty deri në realizimin e të drejtave tona”, ka shkruar ai.

Klinaku, një thirrje ka edhe për deputetët e pozitës dhe opozitës, duke kërkuar nga ta që mos ta miratojnë ‘ligjin diskrimnues ndaj kategorive të luftës’.
Javën e kaluar veteranët e UÇK-së protestuan në kundërshtim të Ligjit për Pagën minimale, ligj ky që nuk i përfshin veteranët, çka bëri që protesta të eskalojë.
Ky projektligj do të jetë në rend të ditës në seancën e sotme të Kuvendit që pritet të fillojë në ora 13:00.











