PDK në Fushë Kosovë është ndarë përfundimisht në dy pjesë. Ndërsa grupi i Rrahim Tërnavës ka zyrtarizuar koalicionin me Vetëvendosjen duke marrë tri drejtori, krahu i Bashkim Mustafës ka shpërthyer në akuza, duke i quajtur partnerët e rinj të VV-së si “profiterë që nuk përfaqësojnë askënd”.
Gjithçka nisi pas raportimeve se PDK ka arritur marrëveshje me LVV-në për të marrë tri drejtori në Komunën e Fushë Kosovës. Megjithatë, kjo lëvizje nuk ka gjetur përkrahjen e të gjithë strukturës, duke nxjerrë në dritë një ndarje që duket se ka rrënjë të thella.
Bashkim Mustafa ka reaguar ashpër ndaj grupit të Tërnavës, duke i akuzuar ata për keqpërdorim të logos së PDK-së.
Sipas tij, individët që po emërohen në drejtori nuk përfaqësojnë PDK-në, por vetëm interesat e tyre materiale dhe financiare.
“PDK në Fushë Kosovë demanton raportimet për koalicion me Vetëvendosjen: profiterët politikë nuk na përfaqësojnë. Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Fushë Kosovë, demanton kategorikisht çdo pretendim apo spekulim se individë të caktuar janë emëruar apo do të emërohen në pozita komunale në emër të PDK-së”, thuhet në reagimin e Mustafës.
“Dega distancohet qartë nga çdo afërsi me LVV-në dhe përfaqësuesit e saj, të cilët kanë keqpërdorur paranë publike”, thuhet më tej në reagim, ku personat e emëruar etiketohen si “jokredibilë”.
Grupi i Rrahim Tërnavës: U çliruam nga ‘nëndega e LDK-së’
Kundërpërgjigjja nga krahu tjetër ka qenë edhe më brutale. Grupi i Tërnavës ka lëshuar një deklaratë ku i akuzon kundërshtarët e tyre brenda partisë si “shërbëtorë të LDK-së” për 24 vite me radhë.
“Nëndega e LDK-së”: Sipas tyre, Mustafa dhe grupi i tij kanë vepruar si “nëndegë” e LDK-së brenda PDK-së, duke marrë grante dhe punësuar familjarë në këmbim të sabotimit të PDK-së në zgjedhje.
Ata përmendin vitet 2013, 2017, 2021 dhe 2025 si momente kur ky grup, sipas tyre, e ka dëmtuar qëllimisht partinë për interesa klanore.
Ky krah insiston se marrëveshja e re është në shërbim të qytetarëve dhe se “profiterët e vërtetë” janë ata që deri dje kanë bashkëpunuar me LDK-në.
Gazeta Insajderi ka raportuar mbrëmë se, sipas burimeve brenda komunës, marrëveshja tashmë është zyrtarizuar dhe PDK-ja pritet të marrë drejtimin e tri dikastereve të rëndësishme në qeverisjen e Prebezës.
Burimet e Insajderit konfirmojnë se emrat e përzgjedhur janë figura të njohura të skenës politike lokale.
Mirsad Qyqalla, ish-asamblist i PDK-së në mandatin e kaluar, do të udhëheqë Drejtorinë e Bujqësisë, Pranvera Merovci është caktuar në krye të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, ndërsa Artan Hajrullahu do të marrë drejtimin e Drejtorisë së Gjeodezisë.
Të njëjtit tashmë kanë filluar sot punën në pozitat e tyre përkatëse.
Sidoqofë jo situatë ka krijuar një konfuzion total për elektoratin. Të dyja palët pretendojnë se flasin në emër të “Degës së PDK-së”, ndërkohë që qendra në Prishtinë ende nuk ka dalë me një vendim zyrtar se cilin grup e njeh si legjitim.
Përderisa LVV pritet të qeverisë me “një pjesë” të PDK-së, pjesa tjetër premton opozitë të ashpër, duke e çuar degën drejt një ndarjeje që mund të jetë e pakthyeshme.











