Kompania me bazë në Prishtinë, Barileva Turist Sh.PK., ka kryer shërbime të udhëtimit të mbështetësve të regjimit të Aleksandar Vuçiqit nga Kosova në Serbi të premten.
Rreth 200 autobusë me serbë të Kosovës janë nisur dje dhe sot në mëngjes nga komunat e banuara me shumicë serbe në drejtim të Beogradit.
Atje, do të marrin pjesë në një tubim të organizuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, e cila është ftuar me qëllim për t’iu kundërvënë protestave të dhjetëra mijëra qytetarëve që po protestojnë ditë me radhë kundër despotizmit të tij.
Në mesin e autobusëve që kanë kryer shërbime të transportit të udhëtarëve nga Kosova në Serbi të premten, është edhe kompania me bazë në Prishtinë, “Barileva Turist”.
Paparaci, ka siguruar një fotografi të një autobusi të kompanisë “Barileva Turist”.
Përveç udhëtimit me autobusë, shumë serbë të Kosovës janë nisur për Beograd me vetura, gjë që tregon se mbi 10 mijë serbë të Kosovës kanë shkuar në Beograd “për të mbështetur” presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Dje rreth orës 19:00 serbët e parë janë nisur nga Anamorava, ndërsa deri në mëngjes rreth 60 autobusë nga Ranillugu, Kamenica, Ropotova, dhe vende të tjera kishin kaluar vendkalimin kufitar, raportoi media serbe Kosovonline.














