Çështja e pronave komunale ka qenë pikë e nxehtë diskutimi në mbledhjen e djeshme të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Në një prononcim për Veriu.info, drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, Albanez Tahiraj ka konfirmuar se në prill të këtij viti komuna ka publikuar listën e plotë të pronave komunale që mund ta gjeni në faqen e komunës, LINKU.
Sipas Tahirajt janë gjithsej 1480 prona të paluajtshme të komunës së Vushtrrisë.
Drejtori Tahiraj ka folur edhe për çështjen e administrit të pronave komunale nga komuna e Vushtrrisë.
“Sa i përketë administrimit të pronave komunale hapi i parë ligjor ka qenë listimi dhe publikimi i të gjitha pronave. Për çështjen e administrimit të tyre komuna e Vushtrrisë do të bashkëpunoj me mekanizmat relevant dhe do të ndërmarrë veprime ligjore konkrete për administrimin e të gjitha pronave” – ka thënë Tahiraj për Veriu.info.
Komuna e Vushtrrisë është komuna e vetme që ka publikuar listën e plotë dhe e cila është e qasshme për publikun, derisa komunat tjera nuk kanë as evidenca të plota të pronave komunale.












