
Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, ka sqaruar se paratë e ndara nga Komuna e Prishtinës, për motrën e saj që muaj më parë u lëndua rëndë si pasojë e rënies së çatisë së objektit të komunës, janë për operacionin e ardhshëm të 23-vjeçares.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ujkani ka thënë se familja e saj dje janë përballur me linçim në rrjete sociale, për shkak të siç thotë ajo ‘keqinformimit’ të publikut.
“Pas shumë vështirësive, netëve pa gjumë e traumave të njëpasnjëshme që kemi kaluar me shëndetin e motrës sime Elzës, dje u përballëm edhe me linçimin e familjes sonë në mediat sociale.
Publiku u keqinformua se familjes sonë i është dhënë dëmshpërblim/kompensim nga Komuna për dëmin që i është bërë Elzës.
Për shkak të dëmit të pariparueshëm në pjesën e sipërme të kafkës, Elza duhet t’i nënshtrohet një operacioni plastik. Kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të mbuluar pjesën e dëmtuar dhe për të parandaluar komplikime të mëtejshme shëndetësore”, shkroi ajo












