Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca iu ka bërë thirrje qytetarëve serb që të dalin të votojnë sot, raporton GazetaBlic.
Konjufca përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara.
Konjufca thotë se qytetarët serb nuk duhet ta humbin rastin për të votuar.
“Vota juaj do të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen lokale, në ndryshimet e përgjithshme pozitive dhe në jetën e mirëqenien tuaj”, shkroi tutje Konjufca.
Shkrimi i plotë:
Sot, në një atmosferë të qetë dhe demokratike po mbahen zgjedhjet lokale në katër komunat e Republikës së Kosovës, përkatësisht në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara.
Prandaj i ftoj qytetarët me të drejtë vote të këtyre komunave që të marrin pjesë sa më masivisht në zgjedhjet e sotme lokale.
Mos e humbni rastin. Vota juaj do të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen lokale, në ndryshimet e përgjithshme pozitive dhe në jetën e mirëqenien tuaj.












