Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ka rrëzuar vendimin e Sekretares së Ministrisë së Bujqësisë, Venera Çerkini, për degradimin e Udhëheqësit të Departamentit Ligjor në MPBZHR, Shefki Zeqirit. Ky i fundit, kishte refuzuar t’i bindet urdhrave të Çerkinit në çështjen e marrjes me qira të zyreve të Ministrisë, proces ky i përcjellë me dyshime të mëdha për ndikime dhe favorizime.
DOKUMENT:

VOX Kosova, në mars të vitit 2026, kishte raportuar se Çerkini, kishte urdhëruar përcaktimin e kushteve dhe kritereve për vlerësimin e ofertave për marrjen me qira të zyreve të reja ku do të vendosej stafi i Ministrisë gjatë 2025-ës. Ato, i ishin përshtatur skajshmërisht kompanisë “A2 Group”, operatorit ekonomik me të cilin tashmë veç ishin në kontratë.
Më pas, më 25 qershor 2025, ajo formon një Komision që në bazë të këtyre kritereve të marrë vendim për fituesin e kontratës. Nën dyshimin për parregullsi, ky Komision refuzon ta kryejë punën.
Brenda ditës, Venera Çerkini, nën urgjencën t’ia mundësojë kontratën kompanisë “A2 Group”, formon edhe dy Komisione të tjera – që të dyja, sërish, refuzojnë ta kryejnë vlerësimin duke e ditur paligjshmërinë e procesit.
Nga inati se s’po i binden, Çerkini e dërgon në Komision Disiplinor Shefki Zeqirin, udhëheqësin e Departamentit Ligjor, i cili ishte emëruar në njërin prej këtyre Komisioneve.
“Unë kam pasë dyshimet e mia që nuk ka qenë procedura në rregull. Nuk ka pasë shpallje publike”, kishte thënë Zeqiri për VOX Kosova, kur ishte pyetur për çështjen e moskryerjes së vlerësimit të ofertave për marrjen me qira të zyreve.
“Lidhur me shkeljen disiplinore të konstatuar në aktin kontestuar me ankesë për vënien në lajthitje e organit publik përmes dhënies së informatave të gabuara ose fshehja e të dhënave zyrtare kur kërkohen për qëllime zyrtare, në këtë rast Sekretares së MBPZHR-së, Kolegji i Këshillit, nga shkresat e lëndës, përkatësisht sipas Ekstraktit të procesverbalit nga takimi i mbajtur me datë 27.02.2025, ku në mesin e të pranishmëve ishte edhe Drejtori i DL apo ankuesi, i cili ndër të tjera kishte informuar se deri me datë 31.08.2025. është valide kontrata e ministrisë, behët fjalë për katin e 8 dhe 9 të cilin i lron AZHB-ja, si dhe kishte propozuar që të mos merren të gjitha katet që lirohen prej AZHB-së, ndërsa, sipas kësaj prove Sekretarja ka propozuar të bëhet aneks kontratë që të marrin të dyja katet me çmimin aktual, dhe në pikën b është konkluzuar që të veprohet në procedura të përshpejtuara sepse edhe gjashtë (6) muaj ekziston marrëveshja për objektin, dhe se mbi këtë rezulton se ankuesi nga që nga kjo datë ka njoftuar iniciuesen e procedurës disiplinore lidhur me afatshmërinë e marrëveshjes për objektin e kësaj ministrie, nga rezulton se i njëjti ka bërë përpjekjet e mëparshme të nëpunëses/it për shmangien apo kufizimin e dëmit të vet institucionit, ndërsa, nga komunikimet elektronike përmes e-mailave të bashkëngjitura me shkresat e lëndës nga palët në procedurë, rezulton se edhe institucioni ishte në dijeni për skadimin e kontratës, kjo çështje ka filluar tek me datë 28.04.2025, ndërsa, nga shkresat e lëndës Kolegji i Këshillit, nuk ka mundur të vërtetoi se ankuesi ka rekomanduar lidhur me këtë çështje Sekretaren e Përgjithshme të MBPZHR-së”,thuhet në konstatimin e Këshillit.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil gjithashtu ka gjetur edhe shkelje të tjera në vendimin për degradimin e Zeqirit.
RAPORTIMI I VOX KOSOVA:
Një zinxhir vendimesh e komunikimesh të kryera nga Sekretarja e Ministrisë së Bujqësisë, Venera Çerkini, ka krijuar një vorbullë të një skeme të rëndë keqpërdorimi dhe favorizimi – e cila për pasojë i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm buxhetit të Kosovës.
Dokumentet dhe bisedat që do të publikojë VOX Kosova zbulojnë se Venera Çerkini, familjare e Presidentes Vjosa Osmani, ka ndarë kontrata në prapaskenë, jashtë ligjit, duke shkelur procedurat dhe duke larguar me forcë nga rruga çdo zyrtar që refuzoi t’i bindet.
Më 16 qershor të vitit të kaluar, Sekretarja Çerkini nis veprimin. Ministria e Bujqësisë po bëhej gati të zhvendosej në zyra të reja, andaj ajo formon një Komision prej tre anëtarësh i cili do të dalë në terren dhe do të vlerësojë çmimet e tregut për objektet e dhëna me qira.
“A2 Group”, kompania që kishte nën pronësi objektin ku deri atëherë ishte e vendosur Ministria, nuk dërgon fare ofertë. Por, nuk përjashtohet. Komisioni i emëruar e fut në listë të qiradhënësve potencialë këtë kompani, duke e marrë për referencë kontratën me ta të vitit 2023.
Çmimi i qirasë me “A2 Group” ishte 17 euro e gjysmë për metër katror. Ministria po paguante 27 mijë e 300 euro në muaj.
Secila ofertë që erdhi në adresë të Ministrisë së Bujqësisë ishte më e lirë se ajo e A2 Group. Por, vëmendje, këtu hyn në skenë Venera Çerkini.
Fillimisht, urdhëron të përcaktohen kushtet apo kriteret për vlerësimin e ofertave. Dhe ashtu bëhet. Ato i përshtaten skajshmërisht kompanisë “A2 Group”.
Më pas, më 25 qershor, formon një Komision që në bazë të këtyre kritereve të marrë vendim për fituesin e kontratës. Nën dyshimin për parregullsi, ky Komision refuzon ta kryejë punën.
Brenda ditës, Venera Çerkini, nën urgjencën t’ia mundësojë kontratën kompanisë “A2 Group”, formon edhe dy Komisione të tjera – që të dyja, sërish, refuzojnë ta kryejnë vlerësimin duke e ditur paligjshmërinë e procesit.
Nga inati se s’po i binden, Çerkini e dërgon në Komision Disiplinor Shefki Zeqirin, udhëheqësin e Departamentit Ligjor, i cili ishte emëruar në njërin prej këtyre Komisioneve.
Dhe përfundimisht, më 27 qershor, nga një Komision Vlerësues i përbërë prej zyrtarëve: Bali Lestrani, Leotrim Prokshi dhe Rrezehane Abazi – fituese zgjidhet kompania A2 SHPK. Injorohen tërësisht kompanitë më të lira.
Asgjë e rastësishme këtu. Gjersa po zhvilloheshin negociatat për vazhdimin e kontratës me A2, zbulohet se Çerkini me këtë kompani ishte marrë vesh qysh para shtatë muajsh.
Më 29 korrik, ora 08:42, Nystret Sahiti i A2-shit i shkruan i nervozuar Çerkinit:
“Vazhdimi i kësaj kontrate u stërzgjat. Ne e kemi konfirmimin e 7 muajve më herët se ju do të qëndroni në objekt edhe për 1 vit”.
Reagonte kështu, sepse Çerkini, në një email paraprak, i thoshte se në kontratë “s’mund të futej neni se objekti duhej të kthehej në gjendjen e mëparshme, sepse ishte në kundërshtim me ligjin”.
Por, kompanisë A2 nuk i interesonte kjo dhe Sahiti i shkruante Çerkinit: Pranoni kushtet e njëjta, ose lirona objektin.
Çerkini insistonte, ose bëhej kinse insistonte, se ky nen është kundër ligjit. Po të njëjtën ditë, pak më vonë, i shkruante sërish Sahitit:
“Në lidhje me kontratën aktuale, lidhur me kthimin në gjendjen e mëparshme, Departamenti Ligjor ka shprehur qartësisht se çdo kërkesë e tillë bie ndesh me Ligjin për Prokurimin Publik”.
Por pak do të zgjaste kjo. Më 11 gusht 2025, Çerkini i shkruan sërish Sahitit të kompanisë A2:
“…ju njoftojmë se tashmë jemi dakorduar të përfshijmë nenin mbi kthimin në gjendjen e mëparshme”.
Pra, pajtohet ta shkelë me të dy duart ligjin dhe të nënshkruajë një kontratë të re me A2, ku përveç tjerash, pajtohet të paguajë edhe kosto shtesë si: 500 euro në muaj për gjenerator, 200 në muaj për ashensor dhe pagesë shtesë për arkivë – me sipërfaqe prej 200 metrash.
Si përfundim, më 1 shtator, Ministria e Bujqësisë ia jep sërish kontratën kompanisë A2 Group SHPK, për shfrytëzimin e pesë kateve, në shumë totale prej 47 mijë e 600 eurosh.


















