Ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Albert Krasniqi, ka njoftuar se tashmë ka ftuar në takim ekipin menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, raporton Gazeta Blic.
Anëtarët e ekipit menaxhues janë Jelena Boloviç, Danijela Vujacic, Igor Kalmar dhe Dejan Radojkovic.
Danijela Vujacic është anëtarja më e re e këtij ekipi dhe është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues.
Gazetari serb Branislav Krstic na ka konfirmuar për “Gazeta Blic” se e njëjta aktualisht është deputete në Serbi nga partia përparimtare Serbe e udhëhequr nga Aleksandër Vuçiq.
“Drejtuese politike e ekipit është Danijela Vujacic.Ajo në mbledhjen e kaluar ishte deputete e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.Tani ajo është deputete e Republikës së Serbisë dhe deputete e Partisë Përparimtare Serbe, e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq” tha Krstic për “Gazeta Blic”
Ndërsa anëtarët Igor Kalmar dhe Dejan Radojkovic vazhdojnë të njëjtit anëtarë të pandryshuar që nga përbërja e ekipit në vitin 2013.
Tutje Krstic deklaroi se Vuçiq ka njoftuar se Statuti do të hartohet me të gjitha dispozitat që ai ka nënshkruar me palën kosovare në vitin 2015, duke injoruar mendimin e Këshillit Kushtetues të Kosovës.
“Beogradi zyrtar formoi një grup prej pesë anëtarësh që përpiloi një propozim për statutin e Komunitetit/Asociacionit.Një ekip ekspertësh nga Fakulteti Juridik në Beograd ka punuar në hartimin e Statutit.Sipas njoftimeve publike të Vuçiqit, Statuti do të hartohet me të gjitha dispozitat që ai ka nënshkruar me palën kosovare në vitin 2015, duke injoruar mendimin e Këshillit Kushtetues të Kosovës, i cili ka kontestuar disa nga kompetencat e Asociacionit” tha Krstic për “Gazeta Blic”
Ministri Elbert Krasniqi ka deklaruar se përkundër ftesës që i ka dërguar grupit menaxhues me datën 18 prill, nuk ka marrë ende një përgjigje prej tyre.
Njoftimi i plotë i Krasniqit:
Së fundmi, si ministri kemi marrë shumë pyetje dhe kërkesa për qasje në dokumente publik për vendimin për “Ekipin Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Më lejoni që të ju njoftoj se për këtë ekip, janë gjithsej tre vendime të Ministrisë së Pushtetit Lokal të tre qeverive të ndryshme, që janë bazuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
Vendimi i parë ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë Thaçi.
Vendimi i dytë ishte marrë në qershor të vitit 2016, gjatë Qeverisë Mustafa.
Vendimi i tretë ishte marrë në shtator të vitit 2020, gjatë Qeverisë Hoti.
Nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues.
Pika e gjashtë e vendimi të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ju njoftoj se të martën me 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje.
Të bashkëngjitura gjeni vendimet ndër vite për Ekipin Menaxhues dhe ftesën për takim.











