
Në samitin e Procesit të Bërdo-Brionit, të mbajtur në Shkup, më 11 shtator, Kosovës dhe Serbisë iu bë thirrje që të mos ndërpresin komunikimin, përderisa takimi në Maqedoninë e Veriut u fokusua në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Në një konferencë për media, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, u pyet nëse është më e rëndësishme zgjidhja e çështjeve të hapura për shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian apo plotësimi i kritereve për anëtarësim. Ai tha se të dyja janë të rëndësishme.
“Ekzistojnë çështje të hapura, veçanërisht mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën. Këto janë dy procese që zhvillohen paralelisht dhe në të njëjtën kohë dhe dua të ritheksoj se mendoj që bisedimet kanë vlerë dhe më e keqja ndodh kur ndërpriten linjat telefonike, ajo është vdekje, vdekje për dialogun, për komunikimin për mirëkuptimin e ndërsjellë, por edhe për keqkuptimin, kur ndodh diçka e tillë. Një nga momentet më të rëndësishme në kohën e fundit ka të bëjë me identitetin dhe vetë respektin e vendeve të këtij rajoni, kjo është kur Ukraina mori statusin e kandidatit para Bosnje e Hercegovinës, kjo ishte e pashpjegueshme, por ja që ndodhi”, tha Millanoviq.
Në takimin e Procesit të Bërdo-Brionit morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj; presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq; presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar; presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq; anëtarët e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq, Denis Beqiroviq dhe Zhelka Cvijanoviq, dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Presidentja Osmani e cilësoi si një prej takimeve “më konstruktive të procesit të Bërdo-Brionit që e kemi pasur ndonjëherë”, duke theksuar se kryefjalë e samitit ishte integrimi evropian.
“Çështjet bilaterale që i kemi me Serbinë, diskutohen në forume të tjera”, tha Osmani kur u pyet nëse është diskutuar për raportet Prishtinë-Beograd.
Ajo sërish fajësoi Serbinë se ka nxitur tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, teksa shtoi se masat që ka vendosur BE-ja ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për shtensionim, duhet të hiqen. Kroacia, sipas saj, është një prej shteteve anëtare të bllokut, që duhet të jetë ndër të parat që kërkojë diçka të tillë.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiq, e cilësoi takimin në Shkup si “korrekt dhe të mirë” dhe theksoi se aty nuk u fol për raportin e shtetit të tij me Kosovën.











