Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim të Komisionit Evropian, Gert Jan Koopman, është deklaruar lidhur me zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, nga ana e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Koopman, ka thënë se, zbatimi i këtyre reformave në Shqipëri dhe Mal të Zi, është rreth 80%, në Maqedoninë e Veriut rreth 50%, dhe në Serbi rreth 35%, përcjell Gazeta Express.
‘’Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim të Komisionit Evropian, Gert Jan Koopman, deklaroi se zbatimi i pritshëm i reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor është rreth 80% për Shqipërinë dhe Malin e Zi, 50% për Maqedoninë e Veriut dhe 35% për Serbinë’’, thuhet në postim.
“Kur u takuam në janar, vërejtëm se, megjithëse kishte përparim, ai ishte i ngadalshëm. Tani kam kënaqësinë t’ju raportoj se rreth 90% e të gjitha hapave janë ose plotësisht të përmbushur ose në proces zbatimi, ndërsa sipas vlerësimeve tona, deri në qershor të këtij viti janë përmbushur 57% e tyre. Duhet theksuar se ka dallime të mëdha në rajon, ku Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të arrijnë një nivel zbatimi prej 80%, gjë që pasqyron edhe avancimin e tyre të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha Koopman.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut, gjatë muajve të fundit, ka përshpejtuar ndjeshëm angazhimin dhe ka thelluar zbatimin e reformave, ndaj tani pritet që shkalla e zbatimit të kalojë 50%, duke e afruar shpejt me vendet lidere.
“Serbia, e cila është në një nivel dukshëm më të ulët, ka treguar gjithashtu angazhim, ndonëse më selektiv, me një nivel zbatimi rreth 35%, ndërsa puna për 85% të hapave është ende në vazhdim. Kohët e fundit, Serbia ka vendosur gjithashtu më shumë theks në zbatimin e Mekanizmit të Planit të Rritjes”, tha Koopman.
Sipas tij, Kosova ka mbetur dukshëm prapa për shkak të bllokadave të brendshme politike, të cilat kanë penguar miratimin e legjislacionit të rëndësishëm.
“Megjithatë, që nga zgjedhjet e këtij viti, shohim se Kosova ka filluar të ndërtojë stabilitetin e nevojshëm institucional dhe, për këtë arsye, presim një ritëm më të lartë të zbatimit”, deklaroi Koopman.
Sipas tij, vendi që paraqet sfidat më të mëdha mbetet Bosnja dhe Hercegovina, për shkak të bllokadave të saj të brendshme politike. Ai bëri të ditur se Komisioni Evropian tashmë ka shkurtuar fondet e parashikuara për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe ka propozuar që ato, në një fazë të parë, të transferohen në komponentin e Këshillit Evropian për Inovacion për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që fondet të mbeten në rajon.
I pyetur për pagesat ndaj Serbisë, Koopman tha se Komisioni Evropian ende po vlerëson nëse është përmbushur një nga dy kushtet kryesore, ai që lidhet me sundimin e ligjit.
“Fakti që deri më sot (që nga janari) nuk kemi bërë pagesa tregon se nuk kemi qenë plotësisht të bindur se ky kusht është përmbushur. Ne vazhdojmë ta monitorojmë situatën. Gjendja, siç është përshkruar në dokumentin tonë joformal për sundimin e ligjit dhe në raportin e zgjerimit të vitit të kaluar, nuk është e mirë; është larg së qenit e kënaqshme, siç e dini edhe ju dhe siç e ka theksuar edhe Parlamenti Evropian”, tha ai.
Megjithatë, Koopman shtoi se Komisioni ka vërejtur se gjatë muajve të fundit Serbia ka filluar t’i trajtojë më seriozisht disa nga problemet. Ai përmendi si shembull ndërmarrjen e disa hapave të rëndësishëm, përfshirë nisjen, fundjavën e kaluar, të punës së Këshillit të REM-it, organit rregullator për mbikëqyrjen e mediave.














