Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Nënë Tereza” në Klinë, në bashkëpunim me Kosova Med Healthcare, ka organizuar aktivitete sensibilizuese dhe edukative në kuadër të Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji.
Përmes një tende të vendosur në qendër të qytetit, qytetarëve iu ofruan këshilla profesionale mbi rëndësinë e ushqyerjes me gji, si dhe informacione dhe konsultime për hipertensionin, diabetin dhe shërbime të tjera shëndetësore.
Sipas organizatorëve, Java Botërore e Ushqyerjes me Gji synon të promovojë rëndësinë e qumështit të gjirit për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës, duke kontribuar në forcimin e sistemit imunitar dhe krijimin e lidhjes së veçantë mes nënës dhe fëmijës.
Drejtoria e QKMF-së ka falënderuar Kosova Med Healthcare për donacionin dhe mbështetjen e dhënë në realizimin e aktivitetit, si dhe stafin shëndetësor të institucionit, me theks të veçantë kryeinfermieren, për angazhimin në organizimin e kësaj nisme.
Drejtori i QKMF “Nënë Tereza” në Klinë, Gazmend SH Bojaj, e vlerësoi aktivitetin si një kontribut të rëndësishëm në promovimin e shëndetit publik dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e kujdesit shëndetësor parandalues.