Mediat në Irlandë i kanë kushtuar artikull rastit të një kosovari i cili ishte shpallur fajtor për vrasjen e partneres së tij, Anna Finnegan, me të cilën ishte në lidhje për 16 vjet dhe me të cilën ka dy fëmijë.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 21 shtator 2012, ku raportohet se kosovari e kishte vrarë duke e therur me thikë në gjoks. Vesel Jahiri, u dënua me burgim të përjetshëm në Dublin.
Ai poashtu u shpall fajtor në vitin 2017-të për therjen e Karl Finnegan, vëllait të ish-partneres së tij.
Por, kosovari pretendon se nuk është fajtor në të dyja rastet. Ai deklaroi para gjykatës se në vetëmbrojtje e kishte therur me thikë vëllain e ish-partneres, pasi ky i fundit, sipas tij, e kishte qëlluar i pari.
Por, siç shkruan portali irlandez breakingnews.ie, i akuzuari në seancën gjyqësore e kishte sulmuar prokurorin, duke e goditur në fytyrë dhe kjo ka bërë që seanca të ndërpritej.
Vesel Jahiri, tani po e vë në dyshim vendimin e gjykatës. Në apelimin e rastit, ai ka kërkuar që të lirohet për shkak se konsideron se prokuroria nuk i ka trajtuar drejt provat.
Sipas tij, ai nuk ishte autor i krimit në këtë rast. 42-vjeçari pretendon se ish-partnerja e tij, Anna Finnegan, ishte goditur nga vëllai i saj, pasi ishte përpjekur që të ndërhynte në mes gjatë zënkës.
Kosovari thotë se nuk është bërë kontrollimin i duhur i thikës.
Ai shtoi se gjyqtari ka gabuar pasi që e kishte përjashtuar nga seanca për shkak të sjelljes, duke ia mohuar fjalën mbyllëse.
Çka tha vëllai i viktimës në seancë?
Në seancën gjyqësore dëshmoi edhe Karl Finnegan, vëllai i ish-partneres së kosovarit Vesel Jahiri. Finnegan tha se kishte shkuar në ditën kur kishte ndodhur krimi në shtëpinë e motrës së tij, më 21 shtator rreth orës 19:30. Motra e tij Anna, më pas kishte mbërritur në shtëpi me fëmijët e saj. Sipas tij, ai dhe motra e tij kishin qenë të ulur në tavolinën e kuzhinës kur dëgjuan një “krismë të fortë” ndërsa dera e përparme e shtëpisë po futej me forcë.
Ai ngriti sytë dhe pa Veselin duke zbritur në korridor me thikë. Ana kishte bërtitur dhe ishte ngritur nga tavolina, deklaroi ai.











