Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka drejtuar tri lutje trupit gjykues në Hagë.
“Lutja e parë: Mos lejoni që opinionet e pasluftës (mes të akuzuarve) të lidhën me kohën tonë të luftës. Lutja e dytë: Vështrimet e librave të mi të mos përdorën si dëshmi për veprat që ngarkon ZPS-ja”.
Lutja e tretë e tij lidhej me komunikatat.
“Unë po lexoj atë që ishte thënë në rastin e gjykimit të Fatmir Limajt, komunikatat janë bërë në formë propagande që të rritet respekti i UÇK-së dhe autoriteti i saj, krejt kjo që të besonin në të dhe të anëtarësoheshin njerëzit. Kështu thuhet edhe në aktvendimin lirues për Ramush Haradinajn. ZPS i ka keqpërdorë librat e mi”.
Në ditën e parë të gjyqit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 3 prill, prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë kanë përdorur komunikata të UÇK-së, intervista televizive, dokumentarë, si dhe shënime personale, që u gjetën në shtëpitë e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, si prova kryesore për të argumentuar krimet për të cilat akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Krasniqi dhe Selimi.
Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se është absurde që ai akuzohet për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, kur ai ishte vetë pjesë e kësaj partie.
Madje, jo vetëm ai, por edhe familjarë të tij i takonin kësaj familje politike para luftës. Përmendi vëllain dhe mbesën e tij.
“U angazhova në LDK-në në Drenas. Më 1992 u bën zgjedhjet për Kuvend, fitova 96 % të votave të qytetarëve të mi. Si kuadër i LDK-së, kam udhëheq Këshillin e Financave. Kurse nga viti 1996 deri më 98, kam qenë kryetar i Këshillit për Arsim. Po ashtu edhe kryetar i degës së Ldk-së në Drenas nga fundi i 1997-s deri në prill 98. Absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Unë isha vetë anëtar i LDK-së”.
Tutje Krasniqi ka deklaruar se veç një mendje e çoroditur mund ta mendojë këtë.
“Vetëm një mendje e çoroditur mund të mendoj se unë kam qenë pjesë e persekutimit tim, familjarëve të mi dhe bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të mi”.











