Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Krasniqi nga Haga: Besoj te e vërteta, lufta jonë ishte e drejtë!

25/07/2026 - 21:19
në Lajme
A A
Krasniqi nga Haga: Besoj te e vërteta, lufta jonë ishte e drejtë!
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Nga paraburgimi në Hagë, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një intervistë ekskluzive për RTK-në, shpreh bindjen se aktgjykimi i 16 shtatorit do të dëshmojë, sipas tij, pastërtinë e luftës së UÇK-së.

Ai flet edhe për procesin gjyqësor, situatën politike në Kosovë, familjen dhe mesazhin që ua përcjell brezave të rinj.

RTK: A mendoni se procesi ndaj jush ka qenë i drejtë dhe i balancuar?

Krasniqi: Si historian dhe si një njeri që gjithë jetën ia ka kushtuar lirisë dhe shtetndërtimit, unë e shoh këtë proces me qetësi të plotë. Nuk kam asnjë dyshim se në fund, kur të peshohen të gjitha faktet, drejtësia do të triumfojë dhe pastërtia e luftës sonë çlirimtare do të konfirmohet plotësisht. Kam pasur fatin dhe nderin e jashtëzakonshëm të jem zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Armët e mia kanë qenë LAPSI dhe FJALA, përmes tyre kam prezantuar të vërtetën dhe vuajtjet e popullit tim para botës demokratike. Besoj fuqishëm se kyproces do të shërbejë për të vërtetuar para historisë se lufta jonë është një përpjekje e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme për liri.

Që nga fillimi, kam bashkëpunuar plotësisht me drejtësinë, duke respektuar çdo vendim të gjykatës me durim dhe seriozitet. Si njeri i shkencës dhe i shërbimit publik, besimin tim e kam vendosur tek dokumentet dhe provat e pakontestueshme.

Në këtë pikë, dëshiroj të shpreh një falënderim të thellë publik për ekipin tim mbrojtës. Me profesionalizëm të lartë, integritet dhe një përkushtim të pakursyer njerëzor e profesional, ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të ndriçuar çdo fakt dhe për të shpërfaqur të vërtetën tonë para kësaj gjykate. Falë kësaj pune voluminoze dhe dinjitoze, ndërgjegjja ime dhe pastërtia e jetës sime publike mbeten krejtësisht të patrazuara.

Ajo që më bën më së shumti optimist dhe më jep forcën më të madhe, nuk është fati im personal, por fakti që Kosova sot është një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur, ku gjeneratat e ardhshme mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre me liri dhe dinjitet.

RTK: Pas gjithë këtyre viteve, si dëshironi të kujtohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Krasniqi: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kujtohet ashtu siç ishte në të vërtetë: një kryengritje popullore e lindur nga një popull i shtypur dhe një projekt sublim për lirinë e dinjitetin njerëzor. Ajo nuk ishte zgjedhje apo dëshirë e jonë për luftë, por ishte rruga e vetme e mbetur për të shpëtuar nga politika gjenocidale e Serbisë. Dua që historia ta shënojë atë si një luftë që u rreshtua përkrah vlerave më të larta të qytetërimit perëndimor dhe botës demokratike. Ajo duhet të kujtohet me krenari, sepse pa atë sakrificë kolektive, sot nuk do të kishim as lirinë dhe as Republikën e Kosovës!

RTK: A besoni se në fund do ta bindni opinionin ndërkombëtar për versionin tuaj të ngjarjeve?

Ne nuk kemi krijuar një “version” të historisë, ne thjesht dëshmojmë për të vërtetën që ka ndodhur.

Krasniqi: Opinioni ndërkombëtar, veçanërisht bota perëndimore, e njeh të vërtetën e Kosovës sepse ishte pjesë e saj dhe e shpëtimit të këtij populli, ku mbështetja e aleatëve tanë në vitin 1999 dhe njohja e shtetit tonë rrodhën pikërisht nga një kauzë e drejtë. Bota nuk mund ta harrojë atë që ka parë me sytë e vet, sakrificën e një populli për liri, andaj jam plotësisht i bindur se, kur të shpërndahet mjegulla e politikës së ditës, e vërteta e pastërt e luftës sonë çlirimtare do të mbetet e pacenuar në memorien globale.

Kam besim se dëshmitë e dokumentuara, historia dhe memoria publike do të vlerësohen me kujdes dhe në mënyrë të drejtë. Prandaj, pavarësisht proceseve gjyqësore në vazhdim në Hagë, historia nuk mundet dhe nuk duhet ta ridifinojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një organizatë kriminale apo terroriste.UÇK-ja ishte një forcë çlirimtare që buronte natyrshëm nga lufta e popullit për liri, dinjitet dhe për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë në vendin e tyre, së bashku me të gjithë qytetarët e tjerë pa dallime etnike, race apo feje.

RTK: Çfarë mesazhi keni për të rinjtë që nuk e kanë përjetuar luftën?

Krasniqi: Mesazhi im për të rinjtë është i thjeshtë: duajeni dhe mbroni Kosovën. Liria që gëzoni sot nuk ka ardhur falas; ajo është paguar me çmimin më të lartë njerëzor, me sakrificën e shumë brezave.

Liria është si ajri, vlerën e saj e kupton plotësisht vetëm atëherë kur të mungon. Ju jeni gjenerata e lirisë dhe kjo është përgjegjësi e jashtëzakonshme. Prandaj, kjo liri tani duhet të mbrohet përmes arsimimit, përgjegjësisë qytetare, respektit për ligjin dhe shërbimit ndaj të mirës publike.

Kam besim dhe shpresë se rinia do të ndërtojë një vend ku dallimet politike zgjidhen përmes demokracisë, drejtësisë dhe respektit të ndërsjellë; asnjëherë përmes dhunës apo shtypjes. E ardhmja e Kosovës kërkon seriozitet dhe jo konfrontim të përhershëm. Mosmarrëveshjet politike janë normale në një demokraci, por ato kurrë nuk duhet t’i dobësojnë institucionet apo të zhvendosin vëmendjen nga puna e përbashkët për njohjet, zhvillimin dhe integrimin euroatlantik.

Prandaj ju them, ndërtojeni të ardhmen tuaj këtu, mbi këtë tokë, sepse asnjë vend në botë nuk peshon më rëndë se atdheu juaj. Hapni horizontet drejt botës, bëhuni pjesë e saj, por kurrë mos i harroni rrënjët. Me besim tek vetja dhe me dashuri për vendin, ju do ta dërgoni Republikën tonë në ato maja që brezi im vetëm i ka ëndërruar. E ardhmja e Kosovës është sot në mendjet dhe në duart tuaja.

RTK: Si dëshironi të kujtoheni në historinë e Kosovës?

Krasniqi: Thjesht si një njeri që bëri detyrën e tij ndaj atdheut në momentet më të vështira të historisë sonë.

Si një mësues i historisë që nuk u mjaftua vetëm duke ua shpjeguar historinë brezave, por që u përpoq, bashkë me mijëra burra e gra të këtij vendi, ta shkruajnë atë përmes përpjekjes për liri. Për mua, nderi më i madh i jetës sime ishte t’i shërbeja Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si zëdhënës i saj dhe më pas, si Kryetar i Kuvendit, të udhëhiqja seancën historike të 17 Shkurtit 2008, kur shpallëm Pavarësinë e Kosovës. Të drejtoje parlamentin në atë ditë të shenjtë ishte një përgjegjësi dhe privilegj që i jepet një njeriu vetëm një herë në jetë.

Nëse brezat që vijnë do të më kujtojnë si një njeri që punoi me ndershmëri, që besoi te lapsi, fjala dhe drejtësia, dhe që nuk kurseu asgjë për Republikën, kjo do të ishte mirënjohja më e madhe për mua. Unë jam i qetë me të kaluarën time dhe plot shpresë për të ardhmen e popullit tim!

RTK: Si e shihni zhvillimin politik nga Haga?

Krasniqi: Kur e sheh Kosovën nga kjo distancë, gjërat fillojnë të shihen me një perspektivë tjetër, më historike. Ndërtimi i shtetit nuk është kurrë proces i lehtë, prandaj mesazhi im për ata që udhëheqin sot është se pushtetet dhe mandatet qeverisëse janë të përkohshme, por Republika e Kosovës është e përhershme.

Në këtë rrugëtim, kurrë nuk duhet të harrojmë çmimin e lartë njerëzor që është paguar për institucionet që gëzojmë sot.Kosova thjesht nuk e ka luksin për përçarje të brendshme artificiale apo për interesa të ngushta partiake. Sfidat tona, si ato të brendshme, edhe ato në skenën ndërkombëtare e gjeopolitike, kërkojnë një vizion strategjik afatgjatë që shkon përtej mandateve katërvjeçare.

Në këtë drejtim, Kosova duhet të vazhdojë punën drejt një njohjeje më të gjerë ndërkombëtare. Koha është për maturi, për gjetjen e një uniteti kombëtar rreth institucioneve vitale të shtetit dhe për ruajtjen e partneriteteve strategjike.

Ata që drejtojnë sot duhet të punojnë me vetëdijen e lartë për sakrificën që na solli këtu, në mënyrë që brezat e ardhshëm të trashëgojnë një Kosovë më të fortë, më të bashkuar dhe më të sigurt.

RTK: Si duket një ditë e zakonshme për ju në paraburgim?

Krasniqi: Në moshën 75-vjeçare, rutina në izolim nuk është e lehtë. Ditët i kam kaluar duke lexuar libra të ndryshëm, duke shkruar shënime dhe reflektime, dhe duke u përgatitur për procesin gjyqësor. Unë bëj çmos që kohën ta kthej në aleat, duke ndjekur një disiplinë të rregullt me ecje në hapësirën e lejuar për të ruajtur shëndetin.Për një njeri që tërë jetën ka qenë i lidhur me librin dhe shkrimin, kjo veprimtari mbetet dritarja ime drejt lirisë dhe mënyra më e mirë për të mbajtur shpirtin imun ndaj izolimit.Gjatë ditës ndajmë kohë dhe biseda edhe me shoket që ndodhen këtu.

RTK: Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë festave në paraburgim?

Krasniqi: Kur je në këtë moshë, çdo vit dhe çdo festë larg familjes rëndon dyfish. Festat supozohet t’i bëjnë njerëzit bashkë. Momentet më të vështira janë kur dëgjon nipërit dhe mbesat përmes telefonit, apo kur i shoh përmes lidhjeve me video. Ata rriten pa praninë time dhe kjo është pjesa më e dhimbshme e këtij izolimi. Të ndjesh gëzimin në zërin e tyre, por të mos jesh aty për t’i përqafuar apo për t’i parë se si ndryshojnë nga viti në vit, është një sprovë e rëndë për çdo prind e gjysh. Megjithatë, edhe në ato momente, dashuria dhe zëri i tyre bëhen forca ime më e madhe.Ata janë arsyeja pse duhet të qëndroj i fortë dhe dinjitoz deri në fund!

RTK: Si do t’ua shpjegonit nipërve apo fëmijëve këtë periudhë të jetës suaj?

Krasniqi: Nëse do t’u rrëfeja pasardhësve të mi këtë kapitull të jetës, do t’u tregoja se përpjekja për liri është një mision sublim, ku çmimi që paguhet matet me vetë fatin dhe qenien tonë. Ajo kërkon sakrificë, qëndresë dhe besnikëri të palëkundur ndaj popullit. Kjo periudhë është pjesë e rrugëtimit të gjatë e të vështirë për lirinë e Kosovës, një dëshmi se mbrojtja e historisë dhe e të drejtës sonë kolektive kërkon edhe këtë sakrificë, e qëshpresoj të jetë e fundit.

Dua që fëmijët dhe nipërit e mi ta kuptojnë se liria që gëzojnë sot nuk erdhi vetvetiu, çmimi i saj vazhdon të paguhet. Porosia ime për ta është e qartë: të mos ia shesin shpirtin djallit, pavarësisht çmimit apo presioneve që mund të kenë. Kjo kohë e largësisë do të kalojë, por ajo që mbetet përjetë është dinjiteti dhe emri i pastër që po u lëmë trashëgimi. Liria, nderi dhe e drejta e një kombi për të jetuar i lirë ia vlejnë çdo sakrifice. Dua që ata të rriten të lirë dhe ta dinë me bindje të plotë se gjyshi i tyre, edhe pas këtyre mureve, ishte krejtësisht i qetë sepse ka kryer detyrën më të lartë ndaj atdheut!

RTK: Nëse do të kishit mundësi t’ju drejtoheshit drejtpërdrejt liderëve ndërkombëtarë, çfarë do t’u thoshit?

Krasniqi: Fillimisht, do të shprehja mirënjohjen time më të thellë për liderët botërorë që në kohën më të vështirë për popullin e Kosovës u rreshtuan në anën e lirisë dhe ndihmuan çlirimin e vendit tonë. Populli i Kosovës do ta kujtojë gjithmonë atë mbështetje historike dhe humane.

Ndërsa liderëve të sotëm botërorë do t’u bëja thirrje që të qëndrojnë në mbrojtje të vlerave dhe trashëgimisë së paraardhësve të tyre, të atyre që besuan se populli i Kosovës meritonte liri, drejtësi dhe dinjitet. Sot, kjo trashëgimi mbrohet më së miri duke e mbështetur Kosovën drejt një njohjeje më të gjerë ndërkombëtare, sepse anëtarësimi i plotë i shtetit tonë në strukturat euroatlantike është dëshmia më e mirë se rreshtimi i tyre krah nesh ishte një triumf i drejtësisë!

RTK: A ju ka ndryshuar kjo periudhë si baba dhe si njeri?

Krasniqi: Unë e di se çfarë është burgu. Siç e thashë edhe në fjalën time përfundimtare, tani gjendem në vitin e 16-të të burgut. Kam kaluar mbi 10 vite burg nën regjimin serb, duke përjetuar burgosjen dhe torturat gjatë disa prej viteve më të errëta të popullit tonë. Ato përvoja lënë gjurmë që nuk fshihen kurrë plotësisht. Megjithatë, përvojat e vështira ose të thyejnë si njeri, ose ta forcojnë besimin te dinjiteti, drejtësia dhe liria. Unë zgjodha të mos dorëzohem para bindjeve të mia atëherë, dhe nuk do të dorëzohem as tani.

Asnjë burg nuk është i lehtë. Ndarja nga familja, pasiguria dhe pesha e akuzave janë bërë barra shumë të rënda. Megjithatë, kjo kohë e izolimit, përtej dhimbjes, më ka falur gëzimin e madh të jetës: jam bërë katër herë gjysh. Natyrisht, të përjetosh lindjen e nipërve e mbesave, fejesat e martesat e fëmijëve nga largësia, nga Holanda, nuk është e lehtë për asnjë prind apo gjysh. Por ne jemi mësuar që çmimin e proceseve tona kombëtare ta paguajmë edhe me ndarje nga familja.

Pas gjithë asaj që kaluan shumë kosovarë gjatë viteve të luftës, unë kam mësuar rëndësinë e durimit, disiplinës dhe forcës së brendshme. Ajo që më jep forcë sot është besimi se e vërteta ka rëndësi, se historia nuk mund të fshihet e as të tjetërsësohet, dhe se gjeneratat e ardhshme duhet të jetojnë në një Kosovë ku askush nuk mund të përndiqet, keqtrajtohet apo t’i mohohen të drejtat e tij përsëri.

RTK: A ka ndonjë gjë që sot e vlerësoni më shumë se kurrë më parë?

Krasniqi: Izolimi të zhvesh nga gjërat materiale dhe të detyron të kthehesh tek thelbi i ekzistencës. Sot, më shumë se kurrë më parë, vlerësoj dy gjëra që nuk mund të blihen me asgjë: kohën dhe lirinë e brendshme. Kur je i mbyllur, kupton se sa e çmuar është çdo minutë e kaluar pranë njerëzve të dashur, pranë familjes, fëmijëve dhe nipërve. Koha që na ikën pa u vënë re në liri, këtu merr një peshë tjetër.

Vlerësoj çdo kujtim të thjeshtë njerëzor, çdo bisedë pa rregulla dhe çdo ecje nën qiellin e hapur pa mure rreth vetes. Po ashtu, vlerësoj paqen me veten dhe pastërtinë e ndërgjegjes. Këtu brenda kupton se liria e vërtetë nuk është vetëm fizike; nëse mendja dhe shpirti yt janë të lirë, muret humbasin fuqinë e tyre!

RTK: Nëse mund ta ktheni një ditë nga jeta juaj, cilën do ta zgjidhnit?

Krasniqi: Pa asnjë mëdyshje, do të kthehesha në ditën e çlirimit të Kosovës dhe do ta rijetoja atë çast kur vendi ynë më në fund mori frymë lirishëm. Jo sepse aty mbaruan të gjitha vuajtjet, por sepse sakrificat, dhimbja dhe shpresa e brezave të tërë më në fund mori kuptim. Sepse, ky ishte çasti kur populli ynë u çlirua nga shtypja dhe kur dinjiteti u rikthye në jetët tona!

JU REKOMANDOJMË

Vëllai e disa miq të ngushtë garantues për Thaçin në rast se arratiset

Procesi i dytë në Hagë ndaj Thaçit, shtyhet fillimi i gjykimit për 27 shkurt
25/07/2026 - 22:11

Mbrojtja e Hashim Thaçit i është përgjigjur Prokurorisë së Hagës rreth argumentimit të këtyre të fundit se paraburgimi mbetet masë proporcionale për ish-presidentin e Kosovës. Mbrojtja e Thaçit...

Më shumëDetails

Dita e 56 e protestës, qytetarët mblidhen poshtë zyrës së Ramës: Të hënën do jemi para Parlamentit!

Dita e 56 e protestës, qytetarët mblidhen poshtë zyrës së Ramës: Të hënën do jemi para Parlamentit!
25/07/2026 - 21:58

Dita e sotme shënon protestën e 56-të në Bulevard. Protestuesit janë mbledhur edhe këtë mbrëmje poshtë zyrës së Edi Ramës, me thirrjet për dorëheqje dhe qeveri teknike. Ata...

Më shumëDetails

Kajtazi nxjerr shkrimin e gazetës amerikane për “Lule Gjelin”: Është Albin Kurti në tastierë, llumi i arratisur nga vendi i tij

Kajtazi nxjerr shkrimin e gazetës amerikane për “Lule Gjelin”: Është Albin Kurti në tastierë, llumi i arratisur nga vendi i tij
25/07/2026 - 21:42

Gazetari Vehbi Kajtazi ka shpërndarë një reportazh të botuar nga The Washington Post në vitin 2000 dhe ka hedhur akuza të rënda ndaj personit që fshihet pas profilit...

Më shumëDetails

Mediumi i Jeta Xharrës i përgjigjet pyetjeve të Përparim Ramës: Identiteti i “Lule Gjeli” nuk është i panjohur për ne, ka kërkuar të publikojë me pseudonim

Mediumi i Jeta Xharrës i përgjigjet pyetjeve të Përparim Ramës: Identiteti i “Lule Gjeli” nuk është i panjohur për ne, ka kërkuar të publikojë me pseudonim
25/07/2026 - 21:34

Kallxo.com, mediumi të cilin Jeta Xharra e udhëheqë ka dalë me një reagim lidhur me profilin në Facebook me emrin Lule Gjeli, të të cilin sot pati reagime...

Më shumëDetails

Nga 12 në 188 euro për një fidan – dokumentet e bonus-zonimit në Skenderaj zbulojnë kontratën “kriminale”

Nga 12 në 188 euro për një fidan – dokumentet e bonus-zonimit në Skenderaj zbulojnë kontratën “kriminale”
25/07/2026 - 21:30

Komuna e Skenderajt me 10 prill 2026 ka lidhur marrëveshje të bonus zonimit me operatorin ekonomik “A.N.B & KS shpk”. Marrëveshja titullohet si marrëveshje zhvillimi, shkruan rajoni.org. Në...

Më shumëDetails

Vëllai e disa miq të ngushtë garantues për Thaçin, Mbrojtja i përgjigjet ZPS-së për frikën e arratisjes pas kërkesës për lirim

Vëllai e disa miq të ngushtë garantues për Thaçin, Mbrojtja i përgjigjet ZPS-së për frikën e arratisjes pas kërkesës për lirim
25/07/2026 - 21:24

Vëllai e disa miq të ngushtë garantues për Thaçin, Mbrojtja i përgjigjet ZPS-së për frikën e arratisjes pas kërkesës për lirim Lajme Gazeta Express25/07/2026 21:01 Mbrojtja e Hashim...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Sonte meçi i madh i boksit Prenga – Joshua, pritet të nis në këtë orë

    Sonte meçi i madh i boksit Prenga – Joshua, pritet të nis në këtë orë

    162 Shpërndaje
    Shpërndaje 65 Tweet 41
  • Miliona në lojë! Ja sa pritet të fitojë Kristian Prenga në duelin me Anthony Joshuan

    113 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • ‘Fluturon’ çmimi i naftës në Kosovës, edhe sot rritje e ndjeshme

    108 Shpërndaje
    Shpërndaje 43 Tweet 27
  • Laboratori “Alfa Lab” i Leutrim Hazirit u kap me shërbime të palicencuara dhe staf të paregjistruar, por gjobitet me vetëm 1 mijë euro

    94 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Nuk u pajtua me gjobën, e futi dorën në veturën e Policisë për t’ua marrë dokumentet në Vushtrri – 46-vjeçarit i hidhet sprej në sy

    92 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë