Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit që pati me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, tha se partnerët ndërkombëtarë nuk duhet të jenë të befasuar me qëndrimin e PDK-së që s’e mbështet një marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër meqë këtë qëndrim ia ka shpalosur në të gjitha takimet që kanë pasë.
Sipas tij, një marrëveshje pa njohjen në qendër do të zgjasë procesin e dialogut dhe rrjedhimisht edhe status quo’në për Kosovën.
“Në diskutimet për marrëveshjen e propozuar, ia shpreha edhe njëherë qëndrimin e PDK-së rezervat që i kemi sa i përket marrëveshjet, për arsye që i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Kemi qenë mbështetës të procesit të dialogut, duke pritur një përfundim që sjell marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë. Ky ka qenë jo vetëm qëndrimi ynë, por edhe qasja e partnerëve ndërkombëtarë. Ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme, jo me njohje të ndërsjellë, por me Asociacionin në qendër”.
Për këto Krasniqi e lë fajtor kryeministrin Kurti.
“Këto pasoja kanë arsye, përgjegjësia e Kurtit është direkte. Sepse e ka humbur mundësinë që për dy vite t’i bindë partnerët ndërkombëtarë për mbështetje në realizim e qëllimeve tona shtetërore”.
Krasniqi tha se nuk e kundërshtojnë Asociacionin meqë s’e kanë kundërshtuar asnjëherë dhe sepse ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Kemi nene të caktuara në marrëveshje që rrezikojnë të shkojnë përtej Asociacionit e çka është më e keqja edhe përtej Kushtetutës së Republikës. Andaj, këto qëndrime tona nuk janë befasuese për partnerë ndërkombëtarë sepse krejt kohën kemi qenë në diskutime dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Por, gjithsesi, qëndrimi konsistent i PDK-së, jo vetëm i shprehur së voni, por që nga viti 2018 dhe formalisht i ndërlidhur vetëm me arritjen e qëllimit të njohjes së ndërsjellë. Pa njohje të ndërsjellë, ne do të kemi vazhdim të dialogut që parasheh neni 6 i marrëveshjes. Do të ketë pra një vazhdimësi të pafundme të këtij procesi, i cili do të jetë kushedi sa i gjatë, ndoshta 10, 12 apo edhe 15 vjet, por krijon një status quo të re që s’e përfundon konfliktin e ngrirë me Serbinë”.
Krasniqi edhe njëherë e shprehi qëndrimin e PDK-së për këtë çështje.
“Edhe para jush, ne e shohim marrëveshjen si të pamjaftueshme që nuk i adreson qëllimet shtetërore të Kosovës dhe që përtej hapave – potencialisht pozitivë – përpara, po ashtu krijon shumë pikëpyetje, për të cilat, kryeministri i Kosovës, përgjegjësi kryesor i situatës, nuk e ka dhënë asnjë përgjigje”












