Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Këshillit të Evropës për heqjen e vizave ndaj shtetasve të Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo ndodhi pikërisht në 14 vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke cenuar sovranitetin e Kosovës.
Deputetja ka bërë thirrje që Kurti të japë dorëheqje, pasi dëmet e shkaktuara nga ai janë fatale për vendin.
Ajo ka shtuar se LDK do ta kundërshtojë këtë vendim.
Postimi i saj i plotë:
Moskoordinimi i qeverisë me aleatë arriti të sjellë pasoja për Republikën e Kosovës
Pikërisht sot në 14 vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare, u cenua sovraniteti i Republikës së Kosovës.
Udhëtimi i lirë për qytetarët që mbajnë pasaporte ilegale të lëshuar nga Serbia është pasojë e veprimeve të gabuara nga Kryeministri Kurti. E kemi thënë për muaj me radhë që jeni duke bërë dëme të mëdha dhe të pariparueshme në arenën ndërkombëtare dhe ja ku arritëm në një situatë absurde për qytetarët tanë.
Ky Kryeminsitër duhet të japë dorëheqje sepse dëmet që po na shkakton janë fatale për vendin dhe të vështira për t’i kthyer prapa.
LDK-ja do ta kundërshtoj këtë vendim dhe do t’i dalim zot Republikës sepse mbetet e përhershme.













