Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se partia e tij asnjëherë nuk ka pasur ndikim në prokurori.
“PDK – ja asnjëherë nuk ka pasë ndikim në prokurori, as në sistem të drejtësisë, kjo është empirike mateni, kur kemi qenë në pushtet, më së shumti zyrtarët e PDK-së janë ndjekur”, ka thënë Krasniqi.
Në emisionin “FIVE”, Krasniqi ka thënë se ky është narracion i rrejshëm i Vetëvendosjes.“Qe tri vjet kjo parti është në pushtet, a di të tregojë dikush ndonjë projekt të Kurtit me të cilin mburren, në cilën fushë jetojnë më mirë sesa që kanë jetuar para Kurtit. Kemi një qeveri që asgjë të hajrit për këtë vend nuk ka bërë”, ka vijuar ai.
Zhvillimet në KEK
Ndërsa në lidhje me arrestimin e ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi ka thënë se prioritet i qeverisë Kurti gjithmonë ka qenë energjia por jo në kuptim të mirë teksa ka shtuar se Nagip Krasniqi ka qenë njeriu i tij të cilin e ka bërë drejtor me të marrë pushtetin.
Ai ka thënë se edhe ambasadori, Martin Berishaj është “njeriu i Albin Kurtit dhe i lidershipit të VV-së”.
“Nëse kthehemi në histori, prioriteti i prioriteteve të qeverisë së Albin Kurtit është energjia por jo në kuptimin e mirë, bordin e parë që e ka shkarku kur e ka marrë pushtetin ka qenë njeriu i KEK-ut, Krasniqi ka qenë njeri i tij që u bë drejtor në KEK, njeriu më i përfolur në të gjithë Ballkanin për tregim të energjisë me Serbinë, shok i Albin Kurtit dhe lidershipit të Vetëvendosjes, një involvim në energji”, ka thënë Krasniqi.
Si shqetësim kreu i PDK-së ka përmendur edhe ngritjen e faturave të energjisë elektrike.
“Ne e kemi ngritë këtë çështje sepse e kemi ditë që do të ketë krizë, këta kanë pasë neglizhencë totale. E kam ditë që janë të padijshëm, kur ka ndodhë kriza, kanë shpallë emergjencë, kanë nda 25 milionë euro, është një skemë masive e korrupsionit. Unë mendoj që i kanë bërë dëme të mëdha qytetarëve të Kosovës duke i shtrenjtuar energjinë në vitin e kaluar edhe tashmë me 15%. Jam i bindur që ende nuk kemi parë asgjë”, ka përfunduar ai.













