Presidenti Agim Ademi ka bërë sot homazhe dhe ka vendosur buqeta lulesh tek shtatorja e ish-futbollistit të Trepçës’89 dhe Kombëtares së grupmoshave të Kosovës, Erion Kajtazi në Mitrovicë.
Kjo shtatore u përurua më 3 dhjetor në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
E në zbulimin e shtatores, askush nga Federata e Futbollit e Kosovës nuk ishte pjesëmarrës, ndërsa në një prononcim për Express, presidenti i Trepçës’89 tha se kryetari Ademi kishte njoftuar se nuk mund të vinte për shkak të obligimeve jashtë vendit.
Kreu i FFK-së gjatë nderimit që i bëri talentit të futbollit kosovar ishte i shoqëruar nga babai i Erionit, Fatoni dhe përfaqësuesi i Trepçës’89, Arsim Islami.
Erion Kajtazi ndërroi jetë një vit më parë pas një sulmi në zemër gjatë ndeshjes A&N – Trepça’89 në Superligën e juniorëve.













