
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, teksa ka folur për ndalimin dhe arrestimin e dy qytetarëve të Kosovës në kufij me Serbinë, Hasan dhe Xhavit Dakaj, tha se në Serbi po mbahen edhe dy qytetarë të tjerë.
Kreu i ekzekutivit pretendon se dy qytetarët e tjerë që po mbahen në burgjet e Serbisë janë Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula.
Por, ky i fundit është liruar gjatë vitit 2023, e për të cilin Kurti nuk është ende në dijeni.
“Përkundër ndryshimeve pozitive për vendin, edhe ky vit po na e trashëgon një fqinj të vjetër që po përkeqësohet. Javën e kaluar Hasan Dakaj dhe Xhavit Dakaj u ndaluan dhe u arrestuan në kufij me Serbinë. Hasan Dakaj vazhdon të mbahet atje në mënyrë arbitrare. Kjo nuk është hera e parë dhe as nuk paraqet një rast të izoluar. Është një sjellje e qëllimshme, dashkeqëse e Serbisë që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Serbia vazhdon të mbajë në paraburgime dhe 2 qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës, Nëzir Mehmetaj dhe Petrit Dula”, tha Kurti.












