
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi sot dy kazerma të Forcës së Sigurisë së Kosovës, “Adem Jashari” në Prishtinë dhe “Evropianët e Rinj” në Pomazatin.
Përgjatë vizitës ai ishte i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Në kazermën “Ademi Jashari” ai u prit nga zëvendës Komandanti i FSK-së, Gjeneralmajor, Enver Cikaqi, Inspektorja Gjenerale e FSK-së, Gjeneralmajor, Irfete Spahiu dhe Gjeneral brigade, Naim Haziri.
Duke iu drejtuar ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së, kryeministri Kurti tha se populli ynë pret nga ata që të mbajnë lart moralin dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit.
“Njerëzit jashtë këtyre rrethojave të kazermave shohin te ju trimat, të mençurit dhe guximtarët që janë të gatshëm dhe të përgatitur për t’i mbrojtur ata dhe vendin tonë nga çdo rrezik e kërcënim”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.












