Objekti ku më parë ka funksionuar Gjykata Themelore Dega në Vushtrri është dëmtuar shumë dhe po paraqet rrezikshmëri për qytetarët.
Ndaj një situate të tillë ka reaguar edhe kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili përmes një shkrese ka kërkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të veprojë në përputhje me rrethanat pasi ky objekt po dëmtohet çdo ditë e më shumë dhe po rrezikon jetën e qytetarëve.
Kjo pasi ky objekt është futur në listën e objekteve të Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme.
Shkrimi i plotë i kryetarit Idrizi:
OBJEKTI I VJETËR I GJYKATËS ME RREZIKSHMËRI TË LARTË
Në lidhje me çështjen e objektit të vjetër, në të cilin ka vepruar Gjykata Themelore – Dega në Vushtrri, dhe i cili objekt tani është jashtë funksionit, me një shkresë zyrtare, sot, i jam drejtuar Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku dhe u.d Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së, z. Bislim Bislimi.
Përmes kësaj shkrese kam kërkuar që çështja e këtij objekti të trajtohet me prioritet, dhe në përputhje me rrethanat e krijuara të merren vendime të duhura dhe të shpejta, pasi që MKRS ka marrë vendim që objektin në fjalë ta përfshijë në listën e objekteve të Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme.
Kjo çështje për qytetin dhe qytetarët e Vushtrrisë është bërë shqetësuese, pasi që objekti ka filluar të dëmtohet në masë të madhe, madje ka filluar edhe të shembet në disa pjesë, gjë që paraqet rrezik për qytetarët!












