Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri është shprehur i vendosur se nuk do të japë dorëheqje nga pozita, nëse nuk do të ketë pajtim të përbashkët për largimin e të gjithë kryetarëve të komunave veriore.
Zeqiri ka thënë se nëse nuk ka pajtim mes kryetarëve të komunave veriore, qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare për dorëheqjen e katër kryetarëve në veri, atëherë ai nuk do të japë dorëheqje.
Në një intervistë për RTK-në të martën në mbrëmje, ai kritikoi iniciativën ligjore të Qeverisë së Kosovës për largimin e katër kryetarëve të komunave veriore.
“Unë e shoh si diçka negative këtë formë. Nuk është formë e preferuar për mua. Unë mendoj se më lehtë do të kishte qenë për mekanizmit shtetëror që të marrim vendime të harmonizuara dhe të kemi qëndrime të përbashkëta. Unë jam i hapur për këtë çështje”, ka thënë ai.













