“Sveçlën e kanë gjujt kallash (në Ujman) dhe ka ik…bile po bajnë hajgare, po thonë, në Kukës ka shku”.
Në mjë mot të keq me re të trasha ballafaqimi, ku (pu)shteti provoi përmes një teksti të botuar në një media kontraverze boshnjake si ‘Slobodna Bosna’ të serbëzojë dy media kosovare, si vetëtimë shkrepëtiu një deklaratë e ish-Kryeinspektorit të Agjencionit Kosovar për Inteligjencë, Burim Ramadanit. Ky blic i Ramadanit u shkrep tepër shpejtë për t’u parë si pasojë e debatit të madh e të ngarkuar në nivel vendi.
“Nuk flas kot unë”, tha Ramadani në Pressing të T7 ditë më parë teksa i bëri thirrje Xhelal Sveçlës ta demantojë.
“Ne e kemi dhe është e konfirmuar – le të del ministri i Brendshëm dhe ta demanton – në fillim të korrikut e kanë gjujtë ne Ujman, e kanë gjujtë me kallash edhe ka ikë. Bile po bëjnë hajgare po thonë në Kukës ka shku. Ka qenë me barkën e vogël me polici dhe prej anës tjetër e kanë gjujtë me kallash edhe janë largu kanë ikë”, tha ai.
Sveçla, i cili në figurën e tij mediatike ka investuar më së shumti si ministër ‘strongman’ i veriut të – siç ka qejf ai ta frazojë – “sovranizuar”, u bë i gjallë në reagim ndaj Ramadanit, dhe, reagimi i tij doli me germa të ngjyrosura dejonamihalianisht.
“Aspak nuk është e vërtetë”, e nisi Sveçla reagimin duke ia bashkëngjitur postimin një fotografi teksa lundronte me një barkë motorike në Ujman nën shoqërimin e policisë kosovare.
Kreshendot e këngës së PR-it të tij i dha me atë se kufijtë i ka “amanet prej gjeneratash”.
“Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me Ak 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me Kryeshefin e Ibër Lepencit dhe shefin e NjNSh-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë por ka qenë edhe shumë produktive”, shkroi Sveçla.
“Unë as nuk do të reagoja ndaj kësaj gënjeshtre, siç nuk reagoj ndaj shumë të tjerave, po të mos njihej fakti se ky person ka mbajtur një pozitë ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore. Sulmet edhe mund të ndodhin, por ato as nuk na frikesojnë as nuk na zbrapsin. Unë veq lutem që nëse kjo të ndodhë, mos të pësojnë njerëzit përreth meje”, vazhdoi Sveçla.
Finalen e këngës krenare të PR-it të vet e dha kështu: “Edhe po, shkoj shpesh edhe te Kukësi, Tropoja, Hasi e Dragashi, se e kam një amanet prej shumë gjeneratash për atë kufirin atje!”.
Ramadani i pa me ironi e parodi këto variacione të melodisë qendrore të Sveçlës, në veçanti pjesën e amanetit.
“Veç nuk e di ku të pati mbetur amaneti gjatë luftës?”, ia shkrepi vetëtimën tjetër Ramadani reagimin të Sveçlës, ndërsa për reagimin e këtij të fundit tha që “Më rrënqethi fryma patriotike e amanetit të Xhelal Sfeçlës”.
“Besoj që pate dezertuar (gjatë luftës) apo jo? Apo ndoshta trimërisht e ke zbatuar ‘planin taktik IBSTL’?!”, shkroi ai, me IBSTL-në si akronim, Nacionale supozon që nënkuptoi “ik b**th se të lash”.
“Njëjtë më rrënqeth edhe pasioni i një të afërmit tënd që, në emër tënd, guxon të merr në pyetje tjerët. Madje, më rrënqethin edhe ata dëshmitarë që kanë qenë aty dhe s’kanë bërë zë! Por, nuk është tema kjo pjesë!”, shkroi Ramadani.
E para e punës, tha Ramadani, Sveçla duhet t’i nënshtrohet verifikimit të sigurisë.
”Duhet të dihet kush je ti! Jo pse po aludoj gjë, por Ligjit i nënshtrohemi të gjithë njësoj! Unë për dallim nga ti, si zëvendës-ministër iu pata nënshtruar Verifikimit të Sigurisë. Sidoqoftë, nuk besoj që ndonjëherë në jetë kam fabrikuar gjë”, vazhdoi ai.
Ramadani i qëndroi informacionti të tij se Svçela, po, në fakt, ”ka ikur nga rafalet e armës” në Ujman.
”Besoj se ikja nga rafalet e armës afër barkës nuk mund të komentohet si veprim trimërie e lavdie. Shumë ende të përqeshin me reagimin, fatkeqësisht!”.
”Edhe diçka: Kur po e hap Urën e Ibrit? A e ke këtë amanet? P.S Bëja sigurimin shëndetësor policëve të Kosovës”, përfundoi Burim Ramadani.












