Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka folur për sulmet e Qeverisë Kurti ndaj sindikatave në përgjithësi, e në veçanti asaj të arsimit.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se Kurti është mësuar që mos ta kundërshtojnë dhe sindikata e arsimit llogaritet si sindikata më e madhe në vend.
“Po në përgjithësi ndaj sindikatave është sepse z.Kurti nuk është mësuar t’ia prishin, ta kundërshtojnë. Pse ndaj nesh, sepse ne konsiderohemi si sindikata më e madhe numerikisht, ngase fatmirësisht nuk është arritur që dikush të na bëjë përçarje. SBASHK-u është sindikatë që 33 vite dhe këtë unitet e kemi dhuratë të vite 90-ta dhe ka mbetur disi si amanet i yni që ta ruajmë SBASHK-un dhe jemi unik dhe jemi sindikata më e madhe dhe me siguri qeveria dhe ka menduar se po të na shkatërrojë neve, me sindikatat më të vogla do ta ketë shumë më lehtë”, thotë ai.
Jasharaj thotë se SBASHK i ka tejkaluar edhe barrierat e e-Kosova dhe janë rikthyer në këmbët e tyre.
“Me të tjerët nuk e di a ka arritur diçka, me neve nuk ka arritur dot sepse ne edhe me e-Kosova i kemi tejkaluar barrierat dhe jemi duke i kthyer një për një anëtarët tonë sepse ata i besojnë SBASHK-ut, ndërsa ata që nuk u kthyen në fillim pasi ishte një proces goxha i vështirë në e-Kosova. Ne jemi rikthyer, jemi në këmbët tona. Çfarë do të ndodhë pas 1 majit do të shohim se si do të vendosë kryesia dhe besoj edhe sindikatat tjera”, thekson ai për Gazeta Blic.