Pas miratimit të Fondit Sovran në Kuvendin e Kosovës, ka reaguar kryeministri Albin Kurti, duke thënë se me këtë vendim Kosova është vendosur në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “pas një pune të gjatë ekipore në konceptin dhe ligjin për Fondin Sovran, në bashkëpunim me donatorët, ekspertët dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë që e kanë mbështetur këtë projekt, Kuvendi i Republikës së Kosovës sot miratoi në leximin e dytë Projektligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës”.
“Me këtë vendim e vendosëm Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës dhe vumë bazën për krijimin e një trashëgimie për gjeneratat e ardhshme. Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej”, ka shkruar Kurti.










