
Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” që po zhvillohet sot në Dubrovnik.
Kurti theksoi se Kosova “duhet të merret me ekstremistët e dhunshëm, ultra-nacionalistët, të djathtët që besojnë në “botën serbe” dhe e shohin atë si botë ruse… këta janë njerëz që e admirojnë Millosheviqin apo Putinin”.
Kryeministri i Kosovës tha se Kosovës “i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje” dhe shtoi se ndërkohë Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse “ekstremistët e dhunshëm” i japin fund trazirave.
“Mendoj se kjo është rruga përpara, së bashku me dialog intensiv për zbatimin e marrëveshjes dhe ne kemi një marrëveshje që duhet ta zbatojmë”, tha Kurti.
Kurti po merr pjesë në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” e organizuar nga deputeti kroat Tonino Picula në Dubrovnik.
Kryeministri i Kosovës tha në Dubrovnik se “Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe se ai i është bashkuar dialogut me Serbinë sepse “ai është i organizuar nga Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson atë bisedë”.











